Në Kosovë shpallet epidemia e tularemisë

11.02.2015 (komentet: 0)

Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik (IKSHP) ka shpall në shkallë vendi epideminë e tularemisë. “Duke pasur parasysh situatën aktuale epidemiologjike, Komiteti për parandalimin dhe luftimin e sëmundjeve ngjitëse, në nivel të Ministrisë së Shëndetësisë sot ka shpallur epidemi në shkallë Kosove duke aktivizuar të gjitha ekipet e terrenit në parandalimin e rasteve të reja të sëmundjes”, thuhet në një njoftim nga IKSHP-ja.

Situata epidemiologjike është në kontroll të vazhdueshme nga ekipet kujdestare të Institutit Kombëtar dhe çdo ndryshim i situatës në terren do të pasojë me rekomandime të reja

Sipas IKSHP-së nga 1 janari 2014 deri më 10 shkurt 2015, në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike janë raportuar gjithsej 206 raste të tularemisë (11.35 në 100 mijë banorë).

Ky numër, sipas IKSHP-së krahasuar me vitin 2013 (22 raste ose 1.2 në 100 mijë banorë), tregon rritje të lartë të numrit të rasteve. Ky trend i rritjes, po vërehet edhe në janar të vitit 2015.

Deri sot nuk është raportuar asnjë rast vdekjeprurës në tularemi.

Gjatë analizës së të dhënave vërehet një shtim i numrit të rasteve me tularemi gjatë muajve tetor-dhjetor 2014, dhe vazhdon në muajin janar 2015.

Rastet rezultuara pozitive me numër më të lartë, janë kryesisht të pjesës qendrore dhe lindore të Kosovës (rrafshi i Kosovës), ndërsa, në pjesët tjera regjistrohet numër më i ulët i rasteve.

Rastet e tularemisë janë regjistruar në 19 komuna, me 88 vatra.

Komunat me sëmundshmëri më të lartë janë Vushtrria, Obiliqi dhe Skenderaj ndërsa me incidencë më të ulët janë komuna e Prizrenit, dhe Suhareka.

Nga të dhënat e marra gjatë hulumtimit aktiv në terren, në familjet e të sëmurëve, raportohet për numër enorm të shtuar të brejtësve në këto rajone.

“Rruga e përhapjes së sëmundjes është uji i puseve dhe ushqimi i ruajtur në mënyrë jo adekuate, si dhe kontakti me gjësende të kontaminuara andaj qytetarët luten të kenë kujdes nga këto rrugë të përhapjes së infeksionit”, thuhet në një raport të IKSHP-së.

Në total nga viti 1999 - 10 shkurt 2015 janë raportuar 1469 raste të sëmundjes të cilat kryesisht kanë qenë sporadike.

Përndryshe, që nga viti 1999-2001, rastet e tularemisë janë regjistruar në tërë teritorin e Kosovës, dhe nga kjo periudhë, Kosova është zonë endemike me këtë sëmundje.

Kthehu mbrapa

Shto koment