Mbyllet kardiokirurgjia, nuk ka më operime në zemër

25.04.2015 (komentet: 0)

Në Kosovë askush nuk mund të kryejë operim në zemër. Kardiokirurgjisë së vetme publike në tërë vendin, e hapur në mars 2013 në QKUK, ka dy muaj që i është vënë dryni. Për më keq, edhe Reparti i Kardiokirurgjisë është shuar, ndonëse për të nga Qeveria italiane ishin dhënë 3 milionë euro.

Të mbetur pa kirurgë që kryejnë operime në zemër, infermieret e këtij reparti janë shpërndarë në klinikat tjera.

Xhemail Sylejmani ka thënë se tani ka mbet vetëm një kardiokirurg i cili nuk mundë të punoi i vetëm sepse i duhen se paku edhe 4 kardiokirurg të tjerë.

"Po të ketë vullnet politik kjo klinikë do të funksionojë, sepse infrastruktura është e re dhe e mirë”, tha ai.

Zyrtarë të Shërbimit Spitalor thonë se janë në bisedime me Ministrinë e Shëndetësisë që të inkurajohen kardiokirurgë vendorë dhe ata të jashtëm për bashkëpunim, mirëpo një gjë e tillë kërkon buxhet shtesë.

Shpend Fazliu, zëdhënës i QKUK-së, tha se edhe kjo ka implikime buxhetore.

“Funksionalizimi i kësaj fushe kërkon buxhet shtesë dhe për këtë gjë është e njoftua edhe ministri i shëndetësisë sepse ekspertët e huaj kërkojnë një pagesë të mirë, mirëpo mbetemi në pritje se çka do të mund të vendosim”, tha ai.

Klinika e Kardiokirurgjisë u hap në fillim të vitit të kaluar, mirëpo që nga atëherë u ballafaqua me mungesën e stafit mjekësor. Tani, praktikisht i tërë sistemi shëndetësor publik në vend, ka mbetur pa mjekë që kryejnë operime në zemër.

Kthehu mbrapa

Shto koment