Luleshtrydhe dhe tranguj për të parandaluar sëmundjen e Alzheimer

04.03.2014 (komentet: 0)

Ashtu siç është këshilluar nga një studim i fundit, disa substanca te frutat dhe perimet dhe më konkretisht te luleshtrydhet dhe kastravecët mund të reagojnë kundër humbjes së kujtesës dhe të sëmundjes Alzheimer.

Në studimin e ri të publikuar në revistën shkencore Aging Cell thuhet se frutat dhe perimet dhe veçanërisht luleshtrydhet, boronica dhe kastravecët, ndihmojnë kundër humbjes së kujtesës që manifestohet te pacientët e prekur nga dementia dhe sëmundja e Alzheimer. Shkak për këtë studim u bë një substancë e gjetur te bimët, që vepron kundër humbjes së kujtesës dhe dëmtimeve konjiktive në kafshët e përdorura për këtë studim, i kryer nga hulumtuesit e Institutit Salk për Studimet Biologjike në Kaliforni.

Kërkuesit, duke i injektuar një grupi minjsh me simptomat e Alzheimer një dozë ditore prej Fisetine, një flavanol natyral e familjes flavonoide, kanë zbuluar se kjo substancë ka penguar përkeqësimin e kujtesës dhe të të mësuarit.

Megjithatë substanca e injektuar nuk ka ndryshuar formimin e pllakave amiloide në tru, d.m.th ato substanca që “akuzohen” si një rrënja biologjike e sëmundjes Alzheimer. Pavarësisht kësaj, rezultatet e studimit sugjerojnë që për trajtimin e sëmundjes Alzheimer mund të ndërhyhet pa marrë parasysh praninë e pllakave amiloide.

“Ne e kishim treguar edhe më parë që te kafshët normale, fiestina mund të përmirësojë kujtesën. Por në këtë studim, ne kemi demonstruar gjithashtu se ajo mund të ketë një efekt edhe te kafshët që janë të rrezikuara nga sëmundja Alzheimer”, shpjegon doktoresha Pamela Maher, autorja kryesore e studimit. Studiuesja i referohet një studimi të kryer më shumë se dhjetë vjet më parë, nëpërmjet të cilit kishte zbuluar se fisetina ndihmon në mbrojtjen e neuroneve të trurit nga efektet e plakjes. Maher dhe kolegët e saj nëpërmjet metodës laboratorike edhe asaj eksperimentale te kafshët kanë gjetur se, përbërësi ka efekte jo vetëm antioksidante por edhe antiinflamatore te qelizat e trurit.

“Ajo që ne kuptuam është që fisetina ka një lloj të madh proteinash, të cilat nëse i marrin, mund të jenë të dobishme edhe në rastin e sëmundjes Alzheimer. Ndërkohë, në momentin e eksperimentimit te kafshët, edhe pse sëmundja përkeqësohej, fisetina ishte në gjendje që të vijonte të parandalonte sëmundjen”, përfundon Maher.

Sëmundja e Alzheimerit

Alzheimer është forma më e zakonshme e dementias. Kjo sëmundje e pakurueshme u përshkrua për herë të parë nga psikiatri dhe neuropatologu gjerman Alois Alzheimer më 1906 dhe kësisoj sëmundja u emërtua sipas tij. Zakonisht diagnostikohet te personat mbi moshën 65 vjeç, ndonëse shenjat e para të tij mund të shfaqen shumë parë. Më 2006, kishte 26,6 milionë persona të prekur në të gjithë botën. Parashikohet që në 2050-n, 1 në 85 veta të jenë të prekur nga kjo sëmundje. Ndonëse secili rast i Alzheimerit është unik për çdo individ, ka shumë simptoma të përbashkëta. Simptomat më të hershme të vëzhguara shpesh ngatërrohen si probleme të lidhura me moshën, ose manifestime të stresit. Në periudhat e hershme, simptoma më e njohur është paaftësia për të mbajtur mend kujtime të reja, si p.sh vështirësia për të mbajtur mend fakte të vëzhguara në kohët e fundit. Kur mjeku ose infermieri lajmërohen, dhe sëmundja dyshohet, diagnoza shpesh konfirmohet me teste konjitive dhe vlerësime të sjelljes dhe pastaj kryhet një skanim i trurit.

Kur sëmundja përparon, simptomat përfshijnë ngatërresën, acarim dhe agresion, ndryshim humori, përçartje fjalësh, humbje të kujtesës afatgjatë dhe humbje të aftësisë së shqisave.

Më pak se 3 për qind e individëve jetojnë më shumë se 14 vjet pas diagnozës.

\L.Shkodra\

 

Kthehu mbrapa

Shto koment