Kujdes si e trajtoni gripin te fëmijët
21.09.2013 (komentet: 0)
Gripi në këtë sezon shumë shpesh i mundon fëmijët dhe mund të shkaktojë komplikime të rënda shëndetësore. Sipas mjekëve, disa nga komplikimet që shkakton gripi janë temperatura e lartë deri në bllokim të frymëmarrjes.
Disa nga shenjat e gripit janë temperatura e lartë 38-39-deri në 40 gradë, të vjella, rrufë dhe pak kollë.
Komplikimet e shkaktuara nga gripi nuk mund të parandalohen me barna, dhe sidomos jo me antibiotik. Shumë nëna sapo shohin fëmijën që po e zë gripi, menjëherë mundohen ta mjekojnë me barna që të mos zhvillojë bronkopneumoni.
Në fakt nuk është kështu pasi këto medikamente jo vetëm që nuk e parandalojnë, por janë të dëmshme nëse përdoren pa rekomandimin e mjekut specialist. Antibiotiku nuk është mjekim profilaktik në raste kur kemi viroza po ai prish komplet situatën normale që kanë rrugët e frymëmarrjes.
Dhënia e antibiotikëve kur fëmijët janë me probleme, nuk e parandalon sëmundjen, por përkundrazi mund ta favorizojë atë. Temperatura e lartë, bllokimi i frymëmarrjes dhe kolla e fortë i lodhë aq shumë pacientët e vegjël me ç’rast fytyra e tyre është e verdhë dhe ka shumë pak gjallëri për të qenë të tillë.
Kështu, gripi apo viroza e panjohur nuk i kursen të vegjlit. Nga ana tjetër prindërit shprehen të shqetësuar për shëndetin e fëmijëve të tyre dhe shpresojnë që ata të bëhen më mirë dhe të mos mbeten dyerve të spitalit.
Pergatiti: Leonard Shkodra
Shto koment