Kardiokirurg në QKUK me certifikatë trajnimi

30.01.2015 (komentet: 0)

Më shumë se 60 njerëz kanë kaluar nëpër duart e kardiokirurgut të QKUK-së, Bekim Dula, të cilit Ministria e Shëndetësisë i ka dhënë të drejtë më 2010 ta ushtrojë këtë profesion duke u bazuar në dokumentacion joadekuat të përkthyer në mënyrë të pasaktë.

Kërkesës së tij për licencim si kardiokirurg MSH-ja i është përgjigjur me një vendim që ia “pranon të drejtën për të ushtruar veprimtarinë e tij në profesionin si kardiokirurg i specializuar në Kardiologji” , shkruan sot Koha Ditore.

Anëtarët e Komisionit të MSH-së sot refuzojnë të japin hollësi, mohojnë që kanë qenë pjesë e tij, ose hedhin edhe vetë dyshime mbi vërtetësinë e dokumenteve të prezantuara. Ministria e Shëndetësisë ka më shumë se katër muaj që nuk ka pranuar ta hapë dosjen e Dulës për publikun.

Dokumentet që i ka siguruar gazeta e në të cilat është bazuar vendimi i MSH-së, tregojnë për raste siç është paraqitja e një certifikate të trajnimit si certifikatë e specializimit.

Dokumentet janë të lëshuara nga qendra spitalore në Itali, por të përkthyera dhe të vulosura nga Ambasada Italiane në Prishtinë.

Zyrtarët e saj sot mohojnë që është në mandat të Ambasadës të merret me legalizime të dokumenteve të institucioneve italiane.

Versionet origjinale dhe të përkthyera të dokumentacionit të dosjes së kardiokirurgut të vetëm të QKUK-së, Bekim Dula, janë të vulosura e të nënshkruara nga ish-zyrtari i Ambasadës Italiane, Florian Petani, i cili në opinionin kosovar njihet si njëri nga të dyshuarit në aferën me viza, ku është i përfshirë edhe Ukë Rugova.

Kthehu mbrapa

Shto koment