Dhimbja e gjoksit - situatë urgjente ose jo?!

07.09.2013 (komentet: 0)

Shkaqet më të shpeshta kardiovaskulare të dhimbjes së gjoksit

Dhimbja e gjoksit është njëra nga ankesat mjaft të shpeshta në praktikën mjekësore, por jo rrallë, ndodh që ky të jetë një “alarm i rrejshëm”, fatmirësisht.

Në jetën e përditshme mund të përballemi me situata alarmante që duket se po kërcënojnë seriozisht shëndetin madje dhe jetën e individit. Të tilla situata hasim shumë shpesh gjatë punës sonë klinike si mjek, situata që kërkojnë një ekzaminim të shpejtë të pacientit, për të vlerësuar shkallën e rrezikut për jetë ose invaliditet. Por jo rrallë, ndodh që ky të jetë një “alarm i rrejshëm” fatmirësisht, meqë nuk bëhet fjalë fare për një problem serioz që lidhet me zemrën, enët e gjakut ose ndonjë organ tjetër me rëndësi vitale.

Dhimbja e gjoksit është njëra nga ankesat mjaft të shpeshta në praktikën mjekësore, e cila zakonisht detyron pacientin t’i drejtohet në mënyrë urgjente mjekut më të afërt, duke kërkuar poashtu një qasje serioze dhe të shpejtë diagnostike e terapeutike. Ajo nënkupton një ndjenjë dhimbjeje, diskomforti ose thjeshtë një ndjesi “të keqe” në pjesën e përparme të trupit, në regjionin ndërmjet qafës dhe pjesës së sipërme të barkut.

Sëmundja koronare e zemrës përbënë padyshim shkakun madhor, serioz dhe mjaft të shpeshtë të dhimbjes së gjoksit. Është situata e cila “e frikëson” më së shumti pacientin, madje dhe vet mjekun në lidhje me prognozën që mund të ketë. Megjithatë për ta sqaruar këtë, na duhen disa informata esenciale të marra nga vet pacienti, të identifikojmë faktorët e rrezikut për sëmundje të zemrës, ekzaminojmë me kujdes pacientin, bëjmë regjistrimin e EKG-së, disa analiza të enzimave në gjak dhe sipas nevojës bëjmë edhe ekzaminime tjera ndihmëse si koronarografia, CT e arterieve koronare, rezonancë magnetike etj. Zakonisht angina pectoris dhe infarkti i miokardit shkaktojnë dhimbje të fuqishme me karakter shtrëngues, djegës, rëndues apo shtypës, ose thjeshtë një ndjenjë diskomforti në gjoks, ndërsa në raste të pazakonshme përshkruhet si frymëzënie. Kjo dhimbje zakonisht lokalizohet mbi dërrasën e gjoksit dhe ka tendencë përhapjeje në drejtim të krahut e parakrahut të majtë, nofullës së poshtme apo në shpinë (mes dy shpatullave). Dhimbja anginoze e zemrës zakonisht zgjat nga 5-30 minuta, mund të lidhet me aktivitetin fizik, p.sh. shfaqet me fillimin e tij, intensifikohet gradualisht me shtimin e aktivitetit, ndërsa kalon pas pushimit ose pas vendosjes së nitroglicerinës nëngjuhë. Si e tillë kjo dhimbje është e reprodukeshme dhe mund të provokohet lehtë vetëm me shpejtimin e hapit ose ngjitjen përpjetë. E tërë kjo tablo është tipike për të ashtuquajturën anginë stabile e gjoksit dhe ka prognozë më të mirë. Por ka raste kur dhimbja paraqitet edhe në gjendje qetësie ose shfaqet gjatë një aktiviteti fizik minimal, të pazakonshëm deri atëherë, nuk kalon as pas marrjes së nitroglicerinës. Origjina e dhimbjes në këto raste qëndron në mosfurnizimin e mjaftueshëm me gjak të një territori të caktuar në zemër, e për pasojë edhe mungesën e furnizimit me oksigjen e materie ushqyese në muskulin e zemrës (iskemia indore). Një situate e tillë mund të çojë në infarkt miokardi (vdekje ose nekrozë e një pjese të muskulit të zemrës)

Pergaditi : Leonard Shkodra

Kthehu mbrapa

Shto koment