Berisha: Sivjet do të nis ndërtimi i objektit modern të QKMF – së në Gjilan

15.07.2015 (komentet: 0)

Drejtori i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Gjilan, Fejzulla Berisha me bashkëpunëtor në një konferencë për media, ka bërë prezantimin e punës gjashtëmujore të shëndetësisë primare, e cila është përcjellë me punë të shumta në rregullim të infrastrukturës së QMF-ve dhe pajisjes me aparaturë për nevoja shëndetësore, për të vazhduar më pas me sistematizim të stafit, me qëllimin mjeku afër qytetarëve duke dhënë njoftimin për objektin e ri të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare i konfirmuar tashmë për ndërtim nga Ministria e Shëndetësisë.

 

 

Me këtë rast në fjalën e tij drejtori Berisha ka njoftuar përfaqësuesit e medieve se në këtë periudhë kohore të këtij viti ndihmën e mjekut në shëndetësinë primare e kanë kërkuar mbi 101 mijë raste.

 

“Në këtë periudhë kohore të gjashtëmujorit të parë kemi 101 308 vizita në Mjekësinë Familjare, ku prej tyre mbi 20 mijë referime, rreth 1400 vizita shtëpiake, afër 55 mijë injeksione, mbi 4 mijë infuzione, 12 mijë vizita stomatologjike dhe mbi 9 mijë shërbime laboratorike”, ka pohuar drejtori Berisha, duke potencuar angazhim edhe më të madh në të ardhmen.

 

Infrastruktura dhe pajisjet do të ndikojnë gjatë të ardhmes në cilësinë më të mirë të shërbimeve shëndetësore, duke i parapri sistemimi i punëtorëve nëpër QMF, me qëllim të shërbimeve më të mira për pacient.

 

“Kemi bërë renovimet e domosdoshme të objekteve të QMF – ve, më pas është bërë kompletimi me aparaturë dhe pajisje të domosdoshme për punë, presim furnizimin e QMF – ve me kompjuter dhe printer, sikur që po bëjmë monitorimin dhe mirëmbajtjen e aparaturave dhe pajisjeve ekzistuese. Me këto investime jemi të sigurt se kur kemi ambientin e mirë për punë dhe kur janë pajisjet e punës, domosdo që edhe shërbimet janë shumë më të mira për pacient”, tha Berisha duke dhënë zotim për efikasitet në punë dhe shërbime cilësore gjithnjë e më të avancuara.

 

Ai ka informuar edhe për arritjet shkencore të stafit të kësaj qendre, duke spikatur specializimin e shtatë mjekëve dhe informimin se janë duke vazhduar specializimin edhe 6 mjek të tjerë, të cilët janë të domosdoshëm në nivelin primar. Berisha ka përmendur edhe bashkëpunimin e mirë që kanë me Spitalin Regjional të Gjilanit.

 

Drejtori gjithashtu ka bërë të ditur edhe punën e madhe që është bërë në kontrollimin sistematik të nxënësve në klasat e para, pesta dhe nënta, por në disa raste të veçanta edhe te disa nxënës të shkollave të mesme.

 

Kurse, sa i përket vaksinimit Berisha ka pohuar se kanë organizuar vaksinimin dhe kjo fazë ka përfunduar me përfundimin e vitit shkollor.

 

“Vaksinimi është bërë tek fëmijët parashkollor dhe atyre fillor në shkollat e Komunës së Gjilanit”, tha ai duke bërë të ditur edhe furnizimet që janë bërë nga Ministria e Shëndetësisë për barnatoren në QKMF me barëra esenciale, e cila është dukshëm më mirë se sa vitin e kaluar.

 

Gjithashtu si qendër kanë bërë edhe shënimin e ditëve të ndryshme si 24 marsin Ditën Botërore kundër TBC, pastaj Dita e Infermierisë më 12 maj, është shënuar 31 maji Dita Botërore Kundër Duhanit, më 26 qershor është shënuar Dita Ndërkombëtare Kundër Abuzimit me Droga.

 

Mamografi mobil ka mundësuar shërbim falas për një numër shumë të madh të grave në Komunën e Gjilanit, duke bërë të mundur të përfitojnë nga ky shërbim mbi 300 gra, tha drejtori Berisha.

 

“Falë mbështetjes së Ministrisë së Shëndetësisë, këtë fillim të vitit në disa fshatra dhe lagje të Gjilanit, për disa javë ka qëndruar edhe mamografi mobil, ku kanë pasur mundësinë të marrin këtë shërbim falas 323 gra, për të diagnostifikuar me kohë nëse janë apo jo të prekura nga kanceri i gjirit”, tha ai ndër të tjerash.

 

Ndërsa me mbështetje të Ministrisë së Shëndetësisë, respektivisht ministrit Imet Rrahmani, i cili ka konfirmuar ditë më parë ndërtimin e objektit të ri, të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare, e cila do të jetë moderne dhe me mundësi dhe hapësira shumë më të mëdha, ku edhe shërbimet do të jenë më të avancuara.

Kthehu mbrapa

Shto koment