Washington: Shkon në 12 numri i të vrarëve në bazën e marinës amerikane

16.09.2013 (komentet: 0)

12 persona mbetën të vrarë dhe disa të tjerë të plagosur, pasi që dy persona të armatosur me armë automatike hapën zjarr në një bazë ushtarake të marinës amerikane në Uashington.

Dy atentatorët, të cilët sipas raportimeve të fundit (ora 18.15) besohet se u qëlluan të dy për vdekje nga trupat policore, qëlluan në mënyrë joselektive mbi turmën e punonjësve gjatë mëngjesit të së hënës.

Njëri prej atentatorëve u identifikua si një punonjës 50-vjeçar i bazës, i cili së fundmi kishte marrë një letër në të cilën informohej se “statusi i tij i punësimit” do të ndryshonte.

Identiteti i atentatorit të dytë është ende i paqartë.

Megjithatë, njohja e 50-vjeçarit si një punonjës i bazës bën që të hetuesit të përqendrohen gjithmonë e më shumë tek pista e një hakmarrje personale dhe jo tek ajo e terrorizmit, e raportuar fillimisht nga disa media amerikane.

Midis të plagosurve, tre prej tyre u transportuan në një spital të Uashingtonit me urgjencë në gjendje të rëndë.

Mbi tre mijë persona punojnë në komandën e bazës së marinës në fjalë, përfshi inxhinjerë dhe teknikë që kanë për detyrë të mirëmbajnë e riparojnë luftanijet dhe nëndetëset e bazës.

Të shtënat kanë ndodhur rreth orës 8.20 sipas kohës lokale para ndërtesës, kanë vazhduar edhe brenda ndërtesës, ndërsa sipas medieve amerikane, një sulmues ka shtënë me armë nga galeria në njerëzit të cilët gjendeshin të ulur në menzën e marinës. 
Një nga sulmuesit ka pasur një armë AR-15, pushkë gjysmëautomatike, të cilën e shfrytëzojnë forcat e sigurimit amerikan, por që është shumë e popullarizuar ndër civilët e këtij vendi.
Rik Mejson, i punësuar në marinë dëshmon se sulmuesi ka shtënë nga kati i katërt i ndërtesës.

Ende nuk dihen motivet e kësaj ngjarjeje që ka tronditur kryeqytetin amerikan.
Policia reagoi menjëherë pas të shtënave në orën 8:20 sipas kohës lokale, duke mbyllur rrugët pranë vendit të ngjarjes. Aeroporti Kombëtar Ronald Reagan që ndodhet shumë pranë pezulloi fluturimet dhe pastaj u rihap.
Kantieri i Marinës i Uashingtonit, është objekti më i vjetër ushtarak i vendit dhe aty kanë qendrën disa komanda të sistemeve të marinës. Incidenti i sotëm ka ndodhur brenda njërës prej këtyre komandave.
Në këtë qendër të madhe ushtarake punojnë rreth 16 mijë njerëz, si civilë ashtu edhe ushtarakë. Vetëm komanda e Sistemeve Detare të Marinës, ku ndodhi incidenti, ka 3 mijë punonjës.

Kthehu mbrapa

Shto koment