Vrasja në Londër, akt terrorist

23.05.2013 (komentet: 0)

Londër, 23 maj - Kryeministri britanik, David Cameron, është kthyer në Londër për të koordinuar përgjigjen e qeverisë së tij, pas vrasjes së një personi nga dy sulmues të dyshuar islamikë.

 



Para se të nisej nga vizita në Francë, Cameron ka thënë se vrasja është një “krim i tmerrshëm”, me indikacione të fuqishme të “aktit terrorist”, transmeton Rel njoftimet.

Vrasja me thika dhe mjete tjera të mprehta ka ndodhur të mërkurën në juglindje të Londrës, pranë një objekti ushtarak, dhe i vrari dyshohet të jetë ushtar britanik.

Mediat britanike kanë njoftuar se viktima fillimisht është goditur me makinë, nga e cila kanë dalë dy persona, të cilët kishin nisur ta sulmonin me thika. 

Pamjet televizive nga vendi i ngjarjes kanë treguar një person me ngjyrë, me duar të mbuluara më gjak, i cili mbante një thikë ushqimesh. I njëjti ka thënë se ka sulmuar, pasi “myslimanët janë duke vdekur në baza ditore”.

Policia ka qëlluar dhe plagosur dy të dyshuarit gjatë arrestimit të tyre.

Në lidhje me identitetin e të dyshuarve, nuk është dhënë asnjë informacion. 

Disa orë pas vrasjes, rreth 100 mbështetës të lëvizjes djathtiste English Defense League dolën në rrugë për të protestuar. Disa prej tyre mbanin maska në fytyrë dhe flamuj anglezë. 

Autoritetet e rendit kanë ndërhyrë duke vënë situatën nën kontroll. Ndërkohë, dy persona të tjerë janë arrestuar në ndërlidhje me dy sulme të ndara në xhami jashtë Londrës.

Dy persona masakrojnë në rrugët e Londrës një ushtar britanik

Kthehu mbrapa

Shto koment