Vrasja makabër, rrjedhojë e politikave nacionaliste qeveritare‏

01.03.2012 (komentet: 0)

Komuna e Gostivarit dënon ashpër vrasjen makabër të dy të rinjve shqiptare Besnik Shehapi 26 vjeç dhe Imran Memeti 30 vjeç, që ndodhi ditën e djeshme.

 Familjarëve të dy viktimave të pafajshme, u shprehim ngushëllimet më të sinqerta dhe ndajmë dhimbjen e thellë me ta, ndërsa nga organet kompetente kërkojmë zbardhje të plotë të rastit dhe shqiptimin e dënimit maksimal për dorasin kriminel. Komuna e Gostivarit, në lidhje me aktin çnjerëzor të efektivit të policisë, shpreh indinjatë të thellë nga shkaku se ky rast ka edhe dimensionin ndëretnik, fakt ky që mund të rrezikojë ekuilibrin e brishtë në mes te shqiptareve dhe te maqedonaseve që jetojnë në komunën tonë, vlerë kjo të cilën me shumë përkushtim jemi përpjekur që ta ruajmë edhe në ditet më të vështira.

Fakti që vrasja vjen nga dora e një efektivi të policisë i cili për një kohë të caktuar ka shërbyer në njësitë speciale të policisë speciale ‘Tigrat” dhe aktualisht i është besuar mbrojtja e kufijve shtetërorë, e rrit shqetësimin e të gjithë qytetarëve të komunës dhe më gjerë se në strukturat e rendit zënë vend edhe kriminelë me paragjykime nacionaliste, të gatshëm për të vrarë qytetarë të pafajshëm për çështje shumë banale, siç është zënka verbale për një vend-parkim.

Vlerësojmë se ky akt makabër është rrjedhojë e politikave nacionaliste qeveritare, të manifestuara nëpërmjet ofendimeve të renda që u bëhen shqiptarëve në terrenet sportive, e që stimulohen nga vetë shteti , propaganda nacionaliste e medieve pro-qeveritare dhe klimës antishqiptare përmes projekteve të financuara nga buxheti shtetëror dhe një sërë politikash dhe veprimesh tjera të cilat çojnë në drejtim të nxitjes së urrejtjes ndëretnike dhe destabilizimit të vendit.

Deklarata e zëdhënësit të punëve të brendshme Ivo Kotevski, se polici aktin e ka kryer në vetëmbrojtje, është skajshmërisht e pavërtetë dhe deklaratë kundërthënëse , dëshmitaret okular dëshmojnë të kundërtën . Nga policia vijnë deklarata njëherë se vrasësi i është dorëzuar vetë policisë, e njëherë se ai është arrestuar nga policia.

Kjo vrasje makabre e dy të rinjve shqiptarë ne rastin e Gostivarit është pasojë e injorimit për tre vite të vullnetit politik të Këshillit të Komunës nga ministria e punëve të brendshme qe pat si pasojë dezorganizimin e plotë të policisë dhe moskryerjen e obligimeve ligjore në funksion të mbrojtjes së qytetarëve dhe të pronës së tyre.
Komuna e Gostivarit vlerëson se qytetarët shqiptar kanë të drejtë legjitime të shprehin mllefin dhe pakënaqësinë e tyre nëpërmjet protestave të qeta dhe demokratike sepse sot si kur më parë ato ndjehen të rrezikuar nga pjesëtarë të institucioneve të cilët janë të paguar që të garantojnë sigurinë dhe paqen.

Ky rast i paprecedent duhet të jetë argument i mjaftueshëm që kjo qeveri definitivisht duhet të konstaton përgjegjësinë politike për udhëheqësit e niveleve më të larta në ministrinë e punëve të brendshme.

Komuna e Gostivarit, bën apel deri tek të gjithë qytetarët, që në këto momente të vështira të ruajnë gjakftohtësinë dhe të përmbahen nga çfarëdo komenti nxitës të urrejtjes, ndërsa nga organet kompetente dhe institucionet tjera shtetërore relevante, që ky rast t’i vetëdijesojë dhe përfundimisht të kujdesen për sigurinë, qetësinë dhe mirëqenien e të gjithë qytetarëve, pavarësisht nga përkatësia e tyre etnike, fetare, racore dhe statusi i tyre social.

Kthehu mbrapa

Shto koment