Vrasja e Haradinaj në veri të Kosovës, reagon Tirana zyrtare

10.04.2012 (komentet: 0)

Një ditë pas shpërthimit të eksplozivit në shtëpinë e një shqiptari në zonën e “Tre Rrokaqiejve” në veri të Mitrovicës, ku mbeti i vdekur 38-vjeçari kosovar Selver Haradinaj dhe u plagosën katër anëtarë të familjes së tij, ka reaguar edhe Tirana zyrtare.

Ministria e Punëve të Jashtme përmes një komunikate “dënon ashpër shpërthimin që shkaktoi vdekjen e një qytetari të pafajshëm në veri të Mitrovicës, si dhe çdo akt tjetër dhune që cënon forcimin e sigurisë, stabilitetit dhe bashkëjetesës në veri të Kosovës”.

MPJ bën thirrje për qetësi e maturi, për kapërcimin e kësaj situate.

Ministria e Punëve të Jashtme të Shqipërisë ngushëllon familjarët e Selver Haradinaj për humbjen e kryefamiljarit të tyre dhe u uron shërim të shpejtë të lënduarve.

“Shprehim bindjen se autoritetet përgjegjëse, Policia e Kosovës dhe EULEX-i do të sjellin para drejtësisë autorët e këtyre akteve kriminale”, thuhet në reagimin e MPJ-së.

Selver Haradinaj u vra në orët e para të mëngjesit të së dielës në banesën e tij në veri të Mitrovicës në zonën e njohur si “Tre Rrokaqiejt”, pas shpërthimit të eksplozivit të vendosur në parmakët e dritares së shtëpisë.

Nga shpërthimi mbetën të plagosur edhe tre fëmijët e tij dhe bashkëshortja.

Sulmi i cilësuar terrorist nga autoritetet e Kosovës ka rikthyer tensionin në veri të Kosovës, ku jeton shumicë serbe.

Krerët më të lartë të Republikës së Kosovës e kanë dënuar sulmin terrorist, që sipas tyre është me prapavijë etnike, duke kërkuar identifikimin dhe nxjerrjen e autorëve para drejtësisë.

Ndërkohë, nuk ka mjaftuar shpërthimi, por sot një grup kriminal serbësh ka sulmuar Policët e Kosovës të vendosur një natë më parë pranë “Tre Rrokaqiejve” për të ruajtur rendin, si dhe disa gazetarë shqiptarë të vendosur në këtë zonë për raportimin e lajmeve të reja nga vendngjarja.

EULEX në bashkëpunim me Policinë e Kosovës kanë nisur hetimet për zbardhjen e incidentit të rëndë, ndërkohë që ende nuk ka asnjë të arrestuar për ngjarjen.

Kthehu mbrapa

Shto koment