Vizitën e parë jashtë Shqipërisë e nis me Kosovën

02.08.2012 (komentet: 0)

Me ftesë të presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga, presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani do të zhvillojë një vizitë shtetërore në Kosovë në datat 30 dhe 31 gusht.

 

Lajmin e konfirmoi Presidenca e Kosovës dhe Ambasada e Shqipërisë në Kosovë, njofton TCH.

Zyrtarë të kësaj të fundit thanë se ftesa e presidentes Jahjaga i është përcjellë presidentit Nishani dhe ndonëse përgjigjja nga presidenca shqiptare nuk është ende zyrtare, vizita do të realizohet.

Kjo do të jetë vizita e parë shtetërore e presidentit shqiptar jashtë shtetit.

Zyra e presidentes Jahjaga tha se vizita do të jetë e karakterit shtetëror e me këtë rast Nishanit do t’i bëhen të gjitha nderimet shtetërore, duke filluar nga garda e nderit e FSK-së.

E teksa ende nuk bëhet e ditur agjenda e plotë, mësohet se për ta nderuar edhe më shumë, përveç takimeve me zyrtarët e shtetit, protokolli i shtetit është në përgatitje të një ceremonie me karakter më popullor, e cila me gjasë do të mbahet në qytetin e Prizrenit.

Kthehu mbrapa

Shto koment