Vizita e Dodikut, e rrezikshme për Maqedoninë

29.01.2012 (komentet: 0)

Analistët politik shqiptarë e kanë vlerësuar si të rrezikshme dhe me prapavijë të caktuar politike vizitën e presidentit radikal të Republika Srpska, Millorad Dodik në Maqedoni. Analisti Nexhmedin Spahiu theksoi se politika dhe agjendat e tilla të autoriteteve shtetërore të Maqedoni hapur bëjnë të ditur për një politikë të rrezikshme për stabilitetin dhe të ardhmen e këtij vendi.

“Pranimi i Dodikut, një politikan problematik në rajon dhe për bashkësinë ndërkombëtare, është një pozicionim i Shkupit kundër politikave të aleatëve dhe kjo vizitë nënkupton realitetin se ajo shkon në disfavor të atyre që kanë njohur Maqedoninë dhe që ndihmojnë proceset evrointegruese të saj”, theksoi për agjencinë e lajmeve INA, analisti Spahiu.

Sipas tij, kjo vizitë nënkupton edhe një politikë shantazhuese ndaj shqiptarëve dhe vendeve të rajonit, sidomos Bosnjë-Hercegovinës. “Nëse lidershipi maqedonas ka zgjedhur këtë rrugë për të shantazhuar aleatët e Maqedonisë për një përkrahje më të madhe atëherë kjo qasje është tejet naive dhe e huqur tërësisht”, theksoi Spahiu.

Publicisti dhe analisti, Nijazi Muhamedi, vlerëson se vizita tregon qartë qasjen dhe pretendimet e vazhdueshme neosllave të Maqedonisë, që sipas tij, është pjesë e Lidhjes Neosllave, krahu i dytë i pansllavizmit serbo-rus.

“Këto zhvillime duhet të kuptuar edhe në thelbin e historisë dhe duhet ti sqarohet opinionit për të kuptuar realitetin. Republikat sllave që dolën nga ish-BRSS dhe nga ish-Jugosllavia janë strukturuar përmes lobit pansllav dhe që kanë një platformë të përbashkët edhe në rrafshin e integrimeve evropiane. Kur të mësojmë gjithë historinë e rivaliteteve historike ndërmjet pansllavizmit ruso serb dhe panhelenizmit rreth Maqedonisë, do ta kuptojmë se nga e merr forcën, mbështetjen dhe nga e merr inatin e kokëfortësinë kjo Maqedoni sllave, duke qëndruar me decenie me inat ndaj Greqisë rreth çështjes së emrit, e cila si simbol të triumfit të saj ndaj helenizmit ,dhe më shkurt ndaj grekërve dhe ndaj shqiptarëve ka ngritur tashme Portën triumfale. Dodiku, pas Tadiqit, erdhi të përurojë Portën Triumfale, për të paralajmëruar ardhjen e Putinit…!”, theksoi Muhamedi.

Sipas tij, shqiptarët mjerisht dhe fatalisht do të mësojnë hidhur rolin e tyre prej pazvani dhe kallauzi pansllav, që po luajnë partitë politike shqiptare në mënyrë të paturpshme në këtë intrigë djallëzore pansllave, që shkon në dëm të çështjes shqiptare. “Mjerisht një rol të tillë po e luan edhe Qeveria shqiptare, e cila përmes po shfaq shqetësime dhe gajlen lidhur me integrimet evropiane të Maqedonisë”, theksoi analisti Muhamedi.

Presidenti i Republika Srpska, Milorad Dodik, ka shkuar në Maqedoni për të marrë pjesë në shënimin e festës serbo-ortodokse Shën Sava, ndërsa ai u prit nga kreu shtetëror si presidenti Gjorgje Ivanov dhe kryeministri Nikolla Gruevski, ku nga këto takime u theksua dhe u dhanë sinjale për bashkëpunim në disa fusha. /ina/

Kthehu mbrapa

Shto koment