Veriu është i Kosovës, ndryshe s’ka paqe në rajon!

18.07.2012 (komentet: 0)

Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Sali Berisha, ka deklaruar se çdo përpjekje për të rishikuar kufijtë e Republikës së Kosovës hap një zinxhir tensionesh dhe madje konfliktesh, për të cilat do të duhen shumë vite për të dalë prej tyre.

Kryeministri Berisha i ka bërë këto komente gjatë fjalës së mbajtur në takimin mbi sigurinë globale në Romë, me temë “Sfidat kryesore, sot, pёr paqen dhe sigurinё”. Duke u përqendruar në situatën aktuale politike dhe të sigurisë në Ballkan, ai vuri në dukje faktin se rajoni ka fituar qetësinë, edhe pse ka ende probleme të cilat kanë premisa për tu eleminuar.

“Pak javë më parë, komuniteti ndërkombëtar dorëzoi heqjen e mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës. Shteti ligjor atje është forcuar dhe vendi po bëhet gjithnjë e më shumë i njohur në forumet ndërkombëtare. Brukseli negocioi një marrëveshje shumë të mirë midis Kosovës e Serbisë, e cila i hap dyert bashkëpunimit intensiv rajonal”, ka thënë Berisha.

“Unë besoj se pranimi i kufijve ekzistues është kruciale për paqen dhe stabilitetin e rajonit tonë. Çdo përpjekje për të rishikuar kufijtë hap një zinxhir tensionesh dhe madje konfliktesh dhe do të duhen shumë vite për të dalë prej tyre”, nënvizoi Berisha duke vënë në dukje mbështetje e Shqipërisë për integrimn e rajonit.

“Në Kosovë ka disa minoritete, përfshirë ai serb. Por në mënyrë të habitshme, shumica e serbëve, që jetojnë në jug të Ibrit, jetojnë në paqe e harmoni me shqiptarët, ndërsa serbët, që jetojnë në tre komuna në veri të Mitrovicës, ku pothuajse nuk ka shqiptarë, jetojnë në tension, në një kohë kur askush nuk i lëndon, askush nuk ua kufizon të drejtat njerëzore”, theksoi kryeministri Berisha.

“Problemi kryesor në këto tre komuna është kontrabanda. Kontrabanda me shqiptarët, maqedonasit, boshnjakët, të gjithë. Kjo është e vërteta. Dhe kjo sepse ata atje (serbët) janë jashtë kontrollit. Çështja e këtyre tre komunave duhet të zgjidhet në përputhje me ligjin ndërkombëtar. Kufijtë e Kosovës dhe integriteti territorial i saj duhet të respektohen”, ka thënë ndër të tjera Berisha.

Kthehu mbrapa

Shto koment