Veriu dhe dialogu, temë e diskutimeve në OKB

21.08.2012 (komentet: 0)

Veriu i Kosovës do të mbetet temë e diskutimeve politike të nivelit të lartë edhe në Kombet e Bashkuara, sot, kur Këshilli i Sigurimit të diskutojë raportin e rregullt për Kosovën të sekretarit të përhershëm të OKB-së, Ban Ki Moon.

Seanca do të jetë edhe rasti i parë që në të njëjtin takim të jenë prezent kryeministri i Kosovës, Hashim Thhaçi, dhe homologu i tij nga Serbia, Ivica Daçiq, prej se kreu i socialistëve serbë ka ardhur në krye të Qeverisë në Beograd.

Raporti që do të diskutohet nga 15 anëtarët e Këshillit të Sigurimit të OKB-së mbulon periudhën tremujore prej 16 prillit deri më 15 korrik të këtij viti 

Në këtë raport, sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-moon, ka hedhur shumë kritika në adresë të institucioneve të Kosovës, ndërsa ka shfajësuar Serbinë për moszbatimin e marrëveshjeve të arritura në dialogun teknik me Kosovën. Ban Ki- moon ka kritikuar veprimet e Policisë së Kosovës gjatë shënimit të Vidovdanit, më 28 qershor, ndërsa ka shprehur shqetësimin edhe për vendimin e Qeverisë së Kosovës që të ndërpresë financimin e Administratës së UNMIK-ut në veri të Mitrovicës, UAM.  Nga faktori ndërkombëtar Ban ka kërkuar më shumë unitet për presion ndaj palëve dhe angazhim më të madh të palëve në dialog. 

Kthehu mbrapa

Shto koment