ULTRA NACIONALISTËT NË SERBI MARRIN KONTROLLIN MBI FORCAT E SIGURISË

30.06.2012 (komentet: 0)

Zëvendësi i Arkanit kandidat për Ministër të Mbrojtjes. SPS merr nën kontroll edhe shërbimin sekret.

Bisedimet për formimin e qeverisë së re në Serbi janë në vijim e sipër. Mandatari Ivica Daciq ka premtuar se qeveria e re do të betohet brenda 15 ditësh.

Me ndryshimin e formulës qeverisëse në Serbi ndryshimi më i madh pritet të ndodhë në sektorin e sigurisë.

Kryeministri i ri i qeverisë serbe, Ivica Daciq, do të vazhdojë të jetë edhe Ministër i Punëve të Brendshme, duke pasur nën kontroll Policinë dhe Xhandarmërinë, ndërsa tani do ta marr nën kontroll edhe Shërbimin Sekret Serb (BIA), që deri tani ishte nën kontrollin e Tadiqit. BIA i përgjigjet drejtpërdrejt Kryeministrit të Serbisë.

Në këtë mënyrë, i tërë aparati shtetëror i sigurisë do të jetë edhe njëherë nën kontroll të SPS. Në këtë kontekst, nuk është i rastësishëm edhe vendimi nga Daciq që të ndryshohet teksti i betimit të Xhandarmërisë serbe, ku lufta për kthimin e Kosovës vendoset në qendër të betimit. Vendimi për ndryshim të tekstit erdhi në të njëjtën ditë kur Daciq deklaroi se do të angazhohet për kthimin e policisë serbe në Kosovë.

Xhandarmëria serbe është një forcë prej 3000 xhandarësh, 600 prej të cilëve janë formacione elite të cilat për nga organizimi dhe detyrat i ngjajnë më shumë një force ushtarake se sa policore. Xhandarmëria i përgjigjet drejtpërdrejt Ministrit të Punëve të Brendshme.

Ndërsa Ministria e Mbrojtjes, që deri tani ishte nën kontrollin e Tadiqit, do të kalojë nën kontrollin e SNS të Nikoliqit ku kandidat për Ministër përmendet Borislav Peleviq, ish zëvendës komandanti i njësive paramilitare të Arkanit.

Duhet cekur se të gjitha këto ndryshime ndodhin në kohën kur në Kosovë e tërë vëmendja është e fokusuar në grindjet në mes të deputetëve të PDK-së dhe Vetëvendosjes.

Kthehu mbrapa

Shto koment