Tiranë, protestë kundër devijimit të lumit Radika

26.01.2014 (komentet: 0)

Aleanca Kundër Devijimit të Lumenjve zhvilloi paraditen e sotme një protestë përpara Piramidës në kryeqytet, kundër devijimit të lumit Radika, për ndërtimin e hidrocentralit në Fushën e Lukovës. Thirrjet për protestë dhe ftesat për pjesëmarrje janë bërë publike përmes rrjeteve sociale.

Qytetarët thonë se nuk do të lejojnë devijimin e asnjë centimetër/kub të këtij lumi. Ata i bëjnë thirrje qeverisë që të mos lejojë zyrtarizmin e një projekti të tillë. Sipas Aleancës Kundër Devijimit të Lumenjve, konferenca e ministrave shqiptarë dhe maqedonas për çështjen e Radikës ishte një përpjekje për të manipuluar opinionin publik dhe për të zbehur reagimin qytetar. “Nuk do të pranojmë të na hidhet hi syve, nuk do të pranojmë të mashtrohemi, nuk pranojmë të na marrin asnjë cm/kub ujë”- u shprehën protestuesit.

Pesë ministra të Shqipërisë dhe Maqedonisë janë munduar pak ditë më parë, të qetësojnë banorët e Dibrës, por dhe të gjithë shqiptarët, se nuk do të ketë projekt "Radika" kundër interesave shqiptare. Në një konferencë të përbashkët për shtyp, ministri i Ekonomisë në Maqedoni Valon Saraçini, ministri i Mjedisit e Planifikimit Hapësinor në Maqedoni Abdilaqim Ademi, ministri i Jashtëm Ditmir Bushati, ministri i Mjedisit Lefter Koka dhe ministri i Energjisë dhe Industrisë Damian Gjiknuri, pas takimit me kryeministrin Edi Rama, u shprehën se ka një ide dhe jo një projekt, ku diskutohet për çështjen e ujërave ndërkufitare.

Projekti i Qeverisë së Maqedonisë për ndërtimin e një kapaciteti hidroenergjetik në lokalitetin fusha e Lukovës në Dibër, ku Banka Botërore paraqitet si kreditues kryesor, këto ditë ka shkaktuar shumë polemika në Maqedoni, por edhe në Shqipëri. Kjo për arsye se si pjesë kryesore të projektit parashihet që një pjesë e ujit të Radikës në vend që të përfundojë në Lumin Drini i Zi, përmes sistemit të kanaleve do të përfundojë në Lumin Vardar, përkatësisht në Detin Egje. Ky spostim i ujërave sipas ambientalistëve dibran dhe pushtetit lokal, do të ketë ndikim katastrofal për florën dhe faunën e rajonit më të gjerë, ndërsa në Shqipëri do t`i ulë edhe më shumë prurjet e ujit në kaskadat hidroenergjetike në lumin Drin.

Kthehu mbrapa

Shto koment