Thaçi-Daçiq nxorën autonominë e serbëve

25.04.2013 (komentet: 0)

Kryeministrat e Kosovës dhe Serbisë Hashim Thaçi e Ivica Daçiq zgjodhën rrugën e paqës, dhe arritën një marrëveshje e cila iu mundësoi fillimin e procesit të integrimeve në BE, por ky nuk është fundi i rrugës, sepse tani duhet zbatuar marrëveshjen, vlerëson shefja e diplomacisë evropiane Catherine Ashton.


Foto: Reuters

 

Në një editorial të botuar në New York Times, Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri ka shkruar se Thaçi e Daçiq kanë ndërmarr një sërë hapash praktikë të cilët “do të duhej t’ju ndihmojnë popujve të tyre që të largojnë frikën, rrisin prosperitetin dhe luajnë rolin e plotë si anëtare të familjes evropiane”.

“Nuk guxojmë t’i rrisim gjërat”, ka shkruar Ashton.

“Ky nuk është fundi i rrugës. Por është momenti kthesë në këtë rrugëtim, dhe javën e shkuar dy burra të guximshëm zgjodhën rrugën e paqes”, ka shtuar shefja e diplomacisë evropiane.

Ajo ka nënvizuar se ky nuk ishte rezultati që shumica priste para gjashtë muajve, por që nga takimi i parë dy kryeministrat treguan se kanë guxim që të paramendojnë një të ardhme më të mirë për popujt e tyre.

“Asnjë nuk ishte i sigurt se si do të pranohej lajmi në vendet e tyre. Kur fotografi jonë kapi momentin e parë të atyre bashkë, unë ruajta fotografinë përderisa dy kryeministrat nuk dhanë pajtimin që ajo të botohet”, ka rrëfyer ajo në shkrimin autorial që ka dal sot në New York Times.

Duke folur për vazhdimin e dialogut krahasuar me takimin e parë, ajo ka shkruar se to kanë qenë të gjatë edhe nga 14 orë, dhe të tensionuar, për ç’arsye në disa raste është dashur të thirren edhe zëvendëskryeministrat e qeverive që të përfshihen në diskutimet sepse, siç ka shpjeguar ajo, ishte i nevojshëm një nivel më i gjërë i mbështetjes së koalicioneve si në Serbi ashtu edhe në Kosovë.

“Në fund dy palët arritën pajtim për nivelin e autonomisë për serbët e Kosovës. Në Beograd dhe Prishtinë, marrëveshja e tyre u përshëndet nga spektri i gjerë politik”, ka thënë ajo për të shtuar se ende mbetet shumë punë për të bërë në zbatimin e marrëveshjes.

Sipas saj, detyrë e kryeministrave të Kosovës dhe Serbisë ishte që të gjejnë një mënyrë se si t’i ndihmojnë mija serbëve që jetojnë në veri të Kosovës.

“Lidershipi i guximshëm është thelbësor nëse synohet arritja e ndryshimit jetëgjatë...Në gjashtë muajt e fundit, e kam parë se si burrat nga Beogradi dhe Prishtina zhvillohen nga politikanë në paqebërës. E dinin se po marrin një rrezik mbi supet e tyre, por kjo nuk devijoi”, ka shkruar Ashton.

Duke e pranuar se BE-ja mund të ketë mangësitë e saj, dhe se momentalisht po përballet me sfida të mëdha ekonomike, Catherine Ashton ka thënë se megjithatë Unioni po funksionon dhe se për këtë arsye popujt e Evropës Lindore dëshiraun t’i bashkohen pas shpartallimit të Bashkimit Sovjetik.

“Tani Serbia dhe Kosova duan t’i bashkohen [BE-së]. Marrëveshja e arritur javën e shkuar ka inicuar një proces i cili do t’ua mundësojë ta bëjnë këtë gjë’”.

“Këtu, pra, është shpresa ime. (Po them “shpresa”: Sepse ende nuk është e sigurt.) Në 100 vjet të fundit, Ballkani perëndimor ka qenë i njohur si burim i luftës. Nga tani a e tutje, [shpresoj] të jetë i njohur si burim i paqes”, mbaron editorialin e saj në New York Times, Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Catherine Ashton. /REL/

Kthehu mbrapa

Shto koment