TË RINJTË SERBË: VUÇIQ KËRKO FALJE PËR KRIMET NË KOSOVË

18.01.2015 (komentet: 0)

 

Një organizatë joqeveritare e të rinjëve serbë, i ka kërkuar kryeministrit serb Aleksandar Vuçiq, që të kërkojë falje në emër të shtetit serb për krimet e kryera në Kosovë.

 

Një organizatë joqeveritare e të rinjëve serbë, Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut (YIHR), i ka dërguar qeverisë së Serbisë dy kopje të dy raporteve të OSBE-së, ku dokumentohen krimet që Serbia ka kryer në Kosovë. Ata me këtë rast në një letër bashkangjitur këtyre raporteve, i kanë kërkuar kryeministrit Alekdandar Vuçiq, që të kërkoj falje në emër të shtetit serb për krimet e kryera në Kosovë.
Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut (YIHR), organizatë joqeveritare serbe, i ka dorëzuar dy kopje të dy raporteve të OSBE-së "Kosova: siç është parë dhe treguar" Kryeministrit dhe Ministrave të Qeverisë së Republikës së Serbisë, duke i bashkangjitur edhe një letër përmes së cilës kërkohet që të pranohen krimet e kryera nga shteti serb në Kosovë, sepse kjo sipas tyre do të bënte që qytetarët serbë të besonin edhe më shumë në qeverinë e tyre.

Këto raporte të OSBE-së dhe letra e këtyre të rinjëve serbë, shkon në adresë të qeverisë së Serbisë, vetëm pak kohë, pasi ky vend ka marrë mandatin një vjeçar të drejtimit të OSBE-së.

Në letrën adresuar qeverisë së tyre, të rinjët serbë thonë se, me rastin e ditës së parë të kryesimit të OSBE-së nga ana e Serbisë, i dorëzojnë dy botime të bëra pikrisht nga kjo organizatë evropiane, ku përshkruhen në mënyrë të hollësishme shkeljet e të drejtave të njeriut, duke përfshirë vrasjen e më shumë se 13 mijë njerëz në Kosovë gjatë viteve 1998 dhe 1999.

Tutje në letër i thuhet Qeverisë së Serbisë, se heziton të flitet për krimet e kryera nga forcat serbe. Ata i përmendin edhe vizitën që kryeministri Vuçiq pati në Kosovë, e ku preferoi t'u shmanget pyetjeve për krimet e kryera nga Serbia, dhe për kërkimfaljen.

Të rinjtë serbë i kërkojnë qeverisë së tyre që të flas për krimet e kryera nga Republika e Serbisë, dhe edhe të kërkojë falje për pastrimin etnik në Kosovë. Sipas tyre, qytetarët e Serbisë do të kishin më shumë besim në qeverinë e tyre, nëse ajo do të fliste publikisht për krimet e kryera nga shteti serb në të kaluarën.

Në letër, qeverisë së Serbisë i kujtohen edhe bombardimet e NATO-s së vitit 1999 nga 24 marsi deri më 10 qershor. Sipas tyre, bashkëmoshatarët e tyre janë të hutuar dhe nuk e dinë pse ato kanë ndodhur, pasi e vërteta asnjëherë nuk është thënë publikisht. "Për shkak të heshtjes tuaj bashkëmoshatarët tanë janë të hutuar dhe ata nuk dinë asgjë për arsyen për të cilën kemi jetuar nën bomba për 78 ditë. As ju, as mediat, as mësimi në shkolla, nuk flasin për këtë çështje".

Në letër ndër të tjera thuhet, se pavarësisht se ata janë të rinj, secili prej tyre ka dikë në familje, lagje, apo edhe mes miqve, që ishte i rekrutuar në Kosovë gjatë dekadës së fundit të shekullit të kaluar. E këta njerëz u kanë thënë atyre, se gjatë luftës në Kosovë kishte spastrim sistematik të terrenit. Ndërsa në vitin 1998, dhe sidomos pas fillimit të bombardimeve të NATO-s, pjestarë të ushtrisë dhe policisë të njësive të ndryshme u vendosën atje.

Kjo organizatë e të rinjë serbë, në fund të letrës së saj, thotë se ata i kanë studiuar raportet e OSBE-së, të cilat ja dorzojnë edhe Qeverisë së Serbisë, dhe shpresojnë që gjatë këtij viti, sa Serbia është në krye të kësaj organizate, Qeveria të gjejë pak kohë për t'i parë ato. /lajmi.net/ 

Kthehu mbrapa

Shto koment