Të mos kthejnë kokën prapa kur Serbia injoron marrëveshjet

29.02.2012 (komentet: 0)

Anëtari i Kongresit të Shteteve të Bashkuara, Eliot Engel, ka deklaruar se e ardhmja e Kosovës dhe e Serbisë është në integrimet euro-atlantike.

Kongresmeni Engel, i cili është anëtar i Nënkomitetit për Evropën në Dhomën e Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara dhe kryesues i Grupit për çështjet shqiptare në Kongres, ka shprehur “kënaqësinë se nën marrëveshjen aktuale, Kosova do të ulet me emrin e vet dhe përgëzoj kryeministrin Hashim Thaçi dhe qeverinë e tij, për marrjen e vendimit të guximshëm dhe të vështirë për ta lëvizur procesin përpara”.

“E ardhmja e Kosovës, e Serbisë dhe e të gjitha vendeve të Ballkanit është brenda strukturave kryesore euro-atlantike, NATO-s dhe Bashkimit Evropian. Kjo nënkupton se vendet e rajonit e ndajnë fatin e përbashkët dhe duhet të vlerësohen nga standardet e përbashkëta të respektit për fqinjët e tyre”, ka thënë Engel.

Në deklaratën e tij të sotme, dërguar disa medieve thekson se kjo marrëveshje e pritur gjatë, ishte e mundshme “vetëm për shkak se Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, kanë siguruar se Serbia më nuk do ta bllokojë Kosovën që të zë vendin që i takon në tryezë si shtet i pavarur".

“Sekretarja e shtetit, Hillary Clinton, meriton përgëzim për garantimin se e drejta e Kosovës, si një vend sovran, mbetet e sigurt gjatë negociatave dhe se Shtetet e Bashkuara qëndrojnë me miqtë e tyre në Ballkan dhe në mbarë botën”, tha ai.

Ai ka tërhequr vërejtjen se “Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian nuk mund ta kthejnë më kokën prapa kur Serbia injoron marrëveshjet e arritura me Kosovën.

“SHBA-të duhet të qëndrojnë me popullin e Kosovës, duke synuar mënyra shtesë për ta mbështetur shtetin e ri, përfshirë programin e Sfidës së Mileniumit dhe duke i bërë presion BE-së, që ta ndalë zvarritjen e ardhmërisë evropiane të Kosovës”, thuhet në fund të deklaratës së kongresistit amerikan, Eliot Engel.

Kthehu mbrapa

Shto koment