TAHIRI: AUSTRIA KA APLIKUAR PËR KODIN TELEFONIK TË KOSOVËS

05.01.2016 (komentet: 0)

Ministrja për Dialog, Edita Tahiri, ka deklaruar se Austria ka aplikuar dje pranë ITU për kodin telefonik të Kosovës, në pajtim me marrëveshjen e Brukselit për telekomunikacionin.

Kodi telefonik i Kosovës do të jetë 383.

“Konfirmimin zyrtar për aplikimin e Austrisë për kodin telefonik për Kosovës e kemi marrë nga Bashkimi Evropian dhe nga Ambasada e Austrisë në Kosovë, tha ministrja duke falënderuar me këtë rast shtetin austriak për angazhimin e saj shumë të rëndësishëm në mënyrë që Kosova ta ketë kodin e saj telefonik ndërkombëtar.

Sipas një komunikate të Qeverisë, Tahiri theksoi se kodi telefonik i Kosovës do të jetë 383 dhe marrja e kodit ndërkombëtar nga Organizata ndërkombëtare e telekomunikacionit (ITU) i mundëson Kosovës njohje dhe sovranitet ndërkombëtar në fushën e telekomunikacionit, që do të thotë se Kosova konsolidon identitetin e vet shtetëror në fushën e telekomunikimeve.

“Sikurse që dihet, Kosova që nga fundi i luftës më 1999 ka bërë përpjekje të pareshtura që ta ketë kodin e vet telefonik, dhe pas gjashtëmbëdhjetë vitesh më në fund duke iu falënderuar Dialo gut të Brukselit, angazhimit të Bashkimit Evropian, SHBA-ve dhe Austrisë, shteti jonë do ta ketë kodin e vet telefonik ndërkombëtar, tha ajo.

Kodi telefonik ndërkombëtar i Kosovës ka rëndësi të shumëfishtë për shtetin tonë si në planin politik, ekonomik dhe të sigurisë si dhe të do mundësojë shërbime më cilësore dhe me kosto më të favorshme për qytetarët.

Sipas Planit për zbatim, ITU do t’ia alokoj kodin telefonik Kosovës në pjesën e parë të muajit mars 2016.

Kodi i ri unik 383 i Kosovës do të përdoret në tërë territorin e vendit dhe nga të gjithë operatorët e telefonisë mobile dhe fikse.

Me zbatimin e kodit të ri unik, do të eliminohen pengesat e krijuara nga mungesa e kodit, respektivisht përdorimi i tri kodeve të ndryshme (aktualisht +377, + 386, dhe +381), të cilat e kanë bërë të pamundshëm implementimin e disa mekanizmave të rëndësishëm për mbrojtjen e konkurrencës, orientimin e trafikut s i në shkuarje ashtu edhe në ardhje, si dhe menaxhim më adekuat të resurseve të kufizuara numerike.

Po ashtu, përfitimet ekonomike janë të mëdha pasi që operatorët në radhë të parë nuk do të jenë të detyruar që të paguajnë kosto të larta financiare, të cilat direkt i atribuohen mungesës së kodit, e që reflektohen edhe në ofrimin e shërbimeve më cilësore dhe më të lira ndaj konsumatorit. Kostot e përgjithshme të shkaktuara deri më tani nga mungesa e kodit telefonik ka arritur shifrën në mbi 200 milion euro.

Kthehu mbrapa

Shto koment