TADIC: SERBIA E KA KONFIRMUAR SE KOSOVA ËSHTË E PAVARUR

11.07.2012 (komentet: 0)

Kryetari i Partisë Demokratike dhe ish -president i Serbisë, Boris Tadic ka thënë se Serbia në njëfarë kuptimi e ka konfirmuar realitetin se Kosova është e mëvetshme e madje edhe gjatë negociatave nuk ka pasur qëllim që Kosovën ta bëjë jo të pavarur, veçse ka dëshiruar ta definoj kornizën juridike të asaj mëvetësie.

 

Sipas tij, Serbia më nuk ka kurrfarë institucione apo instrumente me të cilat do ta drejtonte çfarëdo procesi në Kosovë. Ai ka theksuar se Kosova dhe aleatët e saj kanë strategjinë e hapave të ngadalshëm drejtë pavarësisë së plotë.

Tadic për revistën “Globus”, ka thënë se ky interes me të cilin do të përmbushej objektivi i shqiptarëve në Kosovë është legjitim dhe askush nuk mund ta mohoj, transmeton RTK.

”Por Serbia ka interesat e veta në Kosovë ku kemi qytetarët tanë, përmendoret tona kulturore dhe integritetin tonë shtetëror. Këtë nuk guxojnë ta harrojnë as shtetet tjera të rajonit, sepse nëse pranohet demontimi i integritetit të Serbisë atëherë herët a vonë mund të demontohet i tërë rajoni”, është kërcënuar Tadic.

Pyetjes nëse e konsideron politikën e vet të dështuar sepse Serbia tani nuk e ka as Kosovën as BE, Tadic ka shfaqur bindjen se Serbia mund ta ketë edhe njërën edhe tjetrën, por për asnjë çast nuk ka menduar se Serbia do ta integrojë hapësirën e Kosovës sipas mënyrës siç ka qenë në kohën e Millosheviqit.

Tadic nuk është i sigurt se koalicioni i cili tash po e përgatit formimin e qeverisë së re të Serbisë do të arrijë marrëveshje rreth çështjeve ekonomike e bashkëpunimit rajonal të Kosovës.

”Nuk mund të arrihet konsensusi kombëtar rreth Kosovës sepse Nikoliq e Daçiq i takojnë politikës së njëjtë, e konsensusi arrihet midis dy poleve të ndryshme politike” ka ka theksuar ai.

“Konsideroj se në dialogun demokratik duhet gjetur zgjidhje e cila do të merr parasysh interesat e të dy palëve. Edhe më tutje besoj se Kosovës nuk duhet qasur sipas logjikës së fituesit dhe humbësit” ka përfunduar ish presidenti serb Tadic për revistën “Globus” të Zagrebit.

Kthehu mbrapa

Shto koment