Sulmi ndaj Sirisë, mbetet pak kohë

28.08.2013 (komentet: 0)

Ekspertët e OKB-së për armët kimike kanë vazhduar të mërkurën, pranë Damaskut, hetimin e sulmit kimik që shtyri Perëndimin të planifikojë kundërpërgjigje ndaj regjimit sirian.

 

Inspektorëve të OKB-së duhet t'ju jepet kohë për t’u përcaktuar nëse forcat qeveritare përdorën armë kimike në luftë civile, tha Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-moon, të mërkurën në Hagë.

Vendet perëndimore dhe opozita siriane akuzojnë regjimin e presidentit Bashar al-Assad.

“Tash është me rëndësi të vërtetohen faktet”, ka thënë Ban. "Këtu, në Pallatin e Paqes, themi: jepjani paqes një shans, jepjani një shans diplomacisë, ndalojini të shtënat dhe nisjani bisedimeve”.

Derisa çmimi i naftës dhe arit rritet në tregjet botërore nga frika e fazës së paparashikueshme të luftës, ekspertët nuk kanë dilema nëse do të ketë sulm perëndimor, por se kur do të ndodhë ai.

Revista Time shkruan se sulmi ushtarak do të përqendrohet kundër artilerisë së Assadit, e jo shkatërrimit të armëve kimike. Po ashtu nuk do shkohet në përmbysjen e regjimit. Një strategji e tillë do t’i shkaktonte rezistencë Washingtonit nga vendet evropiane dhe arabe, të cilat me siguri do të jenë të kujdesshme që të angazhohen në një luftë tjetër të vërtetë amerikane.

"Do të jetë një operacion i shkurtë, që zgjat një ose dy ditë”, thotë Francois Heisburg, kreu i Institutit Ndërkombëtar për Studime Strategjike në Londër. "Nuk do të ketë shpallje të luftës, e as koalicioni ndërkombëtar nuk do të hyjë në Siri për ta përmbysur Assadin”.

Rusia dhe Kina, dy anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit, kanë pikëpamje ndryshe mbi Sirinë. Për ta sulmi i mundur është ndërhyrje e paligjshme në një shtet sovran që kërcënon të ndezë tërë rajonin.

Të mërkurën, aleatja e tretë e Assadit, Irani, paralajmëroi për pasojat e ndërhyrjes.

"Ndërhyrja e SHBA-ve do të jetë një katastrofë për rajonin”, tha Udhëheqësi suprem i Iranit, Ajatollah Ali Hamnei, sepse ky regjion për të është “fuçi baruti dhe nuk mund të parashikohet e ardhmja në rast të sulmit në regjimin e Damaskut”.

Teherani ka frikë se nga përmbysja e Assadit në Siri do të instalohen rrymat radikale myslimane sunike, të afërta me Arabinë Saudite, që janë kundërshtarë të shiitëve iranianë. Teherani madje për sulmin me gaz nervor akuzon kryengritësit sirianë.

Kritika më të ashpra për këtë sulm vijnë nga Rusia, që është furnizuesi kryesor me armë i Sirisë.

“Sulmi në Siri do të destabilizojë vendin dhe të gjithë rajonin”, tha Moska zyrtare, e cila ka filluar të evakuojë shtetasit e saj nga Siria.

Burimet perëndimore thanë për Reuters se sulmi nuk mund të pritet para se presidenti amerikan Barack Obama të marrë të gjitha informatat në lidhje me sulmin e pretenduar kimik të kryer më 21 gusht.

Në ndërkohë, amerikanët po konsultohen me britanikët dhe francezët, ndërsa të mërkurën në Këshillin e Sigurimit do të propozojnë rezolutën ku dënohet sulmi me armë kimike, që kërkon edhe përgjigje të përshtatshme. Perëndimi për reagimin e planifikuar ka mbështetje edhe Ligës Arabe dhe të Turqisë që është anëtare e NATO-s, ndërsa tani është duke u përpjekur për të gjetur një kornizë ligjore për veprim të armatosur.

Burimet thonë se sulmi perëndimor ndaj Sirisë do të ketë më shumë pasoja se në Libi. Siria ka një mbrojtje kundërajrore, me sisteme të avancuara ruse.

"Nuk do të jetë e lehtë, por larg të pamundurës", tha ish-atasheu ushtarak britanik në Paris, Philip Stonor.

Sekretari i Jashtëm britanik, William Hague, ka paralajmëruar se armët kimike "mund të bien në duar të gabuara", ndërsa kritikët theksojnë se është pikërisht humbja e Assadit që do të rriste rrezikun e kësaj dhe se armët kimike do të bien në duar të al Qaedas.

Izraeli po ashtu ka shpërndarë mbrojtjen e saj nga raketat si një masë paraprake në rast se sirianët kundërpërgjigjen, raporton radio ushtarake izraelite.

Sistemet që Izraeli pozicionon janë Iron Dome me rreze të shkurtër dhe të mesme veprimi, Patriot dhe Arrow II me rreze të gjatë veprimi. Por, për shkaqe sigurie nuk përmendet sasia as pozita e tyre.

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka thënë se vendi i tij dëshiron të qëndrojë jashtë konfliktit sirian, por se do të përgjigjet fuqimisht ndaj çdo tentimi për ta sulmuar vendin e tij. /Telegrafi/

 

Kthehu mbrapa

Shto koment