Skandal i drejtësisë kroate: zhduket nga hoteli në Split Andrija Drashkoviq, i dyshuar për vrasjen e Enver Hadrit

16.07.2015 (komentet: 0)

 

Skandal i drejtësisë kroate: zhduket nga hoteli në Split Andrija Drashkoviq, i dyshuar për vrasjen e Enver Hadrit

Zhdukjen e Andrija Drashkoviqit nga një hotel në qytetin bregdetar kroat Split e ka konfirmuar një gjykatës. Supozohet se i dyshuari për shumë krime iku ditën që duhej të ekstradohej në Belgjikë.

 

 

Andrija Drashkoviq, një biznesmen mjaft i përfolur serb për lidhjet e tij në botën e krimit të organizuar, ishte arrestuar në Split të Kroacisë më 24 qershor me kërkesë të Belgjikës. Drejtësia e këtij vendi dyshon se Drashkoviq mund të jetë i përzier në vrasjen e aktivistit kosovar për të drejtat e njeriut, Enver Hadri. Krimi kishte ndodhur në vitin 1990 në Bruksel. Pas ndalimit nga autoritetet kroate Drashkoviq dha një garanci prej 100 mijë euro dhe pastaj atij iu lejua të qëndrojë në një hotel në Split derisa të kryhet procedura e ekstradimit në Belgjikë.
Siç njoftojnë gazetat “Jutarnji list” e Zagrebit dhe “Politika” e Beogradit Drashkoviq është zhdukur nga hoteli ku ishte i vendosur. “I kemi telefonuar Drashkoviqit në apartamentin ku ishte i vendosur, por ai nuk është lajmëruar. Duke pasur parasysh se ka qenë i obliguar të lajmërohet në çdo thirrje të gjykatës, garancia i është hequr, ka deklaruar gjykatësi Damir Romac. Me rastin e arrestimit në aeroportin e Splitit Drashkoviqit i ishte konfiskuar edhe pasaporta. Sipas gjykatësit Ramac ekstradimi i Drashkoviqit ishte planifikuar të bëhej të mërkurën.
Avokati i Drashkoviqit, Velko Delibashiq, ka thënë për “Politikën” e Beogradit se nuk e di ku gjendet klienti i tij. Drashkoviq ka dalë nga burgu i Mitrovicës së Sremit në fund të vitit 2013, ku ka vuajtur dënimin për vrasjen e një personi të quajtur Zvonko Pleçiq. Drashkoviq ishte i dënuar me nëntë vjet burg për këtë vrasje, por i vuajti vetëm dy vite. Më 2007 ai ishte arrestuar në Frankfurt dhe ekstraduar në Itali pas hetimeve antimafioze rreth tregtisë me cigare dhe drogë. Ikja e Drashkoviqit nga Spliti është padyshim njëri prej skandaleve më të mëdha në drejtësisë kroate. Pas arrestimit të këtij vrasësi të supozuar nuk kishte reaguar asnjë institucion i Republikës së Kosovës, për të cilën u angazhua aq shumë Enver Hadri. Drashkoviq nga mediumet serbe dhe kroate është përmendur edhe në kontekst të vrasjes së kriminelit Zhelko Razhnjatoviq (Arkan). Të dy dyshohet se kanë qenë vrasës me pagesë të shërbimit sekret jugosllav, i cili me gjasë qëndron pas rreth 70 vrasjeve të disidentëve para së gjithash kroatë dhe shqiptarë në Perëndim. Mes tyre figurat më prominente janë Jusuf Gërvalla, Kadri Zeka dhe Bardhosh Gervalla, Enver Hadri, Stjepan Gjurekoviq dhe Bruno Bushiq

Kthehu mbrapa

Shto koment