S’ka negociata për Serbinë me BE-në, shkak: Kosova

04.10.2012 (komentet: 0)

Dallimet që kanë vendet anëtare të BE-së në lidhje me statusin e Kosovës vazhdojnë që të pengojnë zhvillimin e thellësimit të relacioneve në mes të Kosovës dhe Bashkimit Evropian

Çështja e veriut të Kosovës paraqet sfidën kryesore, ndërsa përparimi në këto çështje kërkon angazhimin konstruktiv të të gjitha palëve të involvuara. Kështu thuhet në draftin e strategjisë së zgjerimit, dokument ky i cili do publikohet së bashku me raportin e progresit javën e ardhshme.

Edhe ky dokument që do marrë formën zyrtare javën e ardhshme konfirmon sërish se Serbia mund të marrë rekomandimin për nisjen e negociatave të anëtarësimit me Brukselin vetëm kur t’i normalizojë dukshëm raportet më Kosovën.

“Është i domosdoshëm përmirësimi i dukshëm dhe i qëndrueshëm i raporteve në mes të Serbisë dhe Kosovës, i cili të dyjave do ia sigurojë për vazhdimin e rrugëtimit drejt Bashkimit Evropian dukë parandaluar në këtë mënyrë që njëri apo vendi tjetër të jetë i bllokuar në këtë proces”, thuhet në draftin e dokumentit në të cilin kishte qasje RTK-ja.

Ky dokument i qaset edhe marrëveshjeve të arritura në dialogun teknik në mes të Kosovës dhe Serbisë, ku thuhet se implementimi nuk ka qenë i kënaqshëm, ndërsa drejtpërsëdrejti kërkohet nga Beogradi që pas qartësimit të përmbajtjes së marrëveshjes për bashkëpunimin rajonal të mos shkaktojnë më pengesa për përfshirjen e të dyja palëve nëpër nismat rajonale.

Në dokument thuhet se në kohërat kur BE-ja ballafaqohet me sfida serioze dhe pasiguri globale, zgjerimi vazhdon t’i kontribuojë paqes, sigurisë dhe prosperitetit të kontinentit evropian. Zgjerimi në Ballkanin Perëndimor është njëkohësisht investim në stabilitetin e fqinjësisë së Bashkimit Evropian.

Më 10 tetor, Komisioni Evropian do publikoj versionin përfundimtar të strategjisë për zgjerim së bashku me raporte e progresit për secilin vend që mëton integrimin e plotë në strukturat evropiane.

Vetëm Kosova sivjet nuk do marrë Raport të Progresit pasi që në vend të këtij dokumenti vendi do e marrë Studimin e Fizibilitetit në të cilin Komisioni Evropian do vlerësojë nëse vendi është i gatshëm që të nisë negociatat për Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit.

Kthehu mbrapa

Shto koment