Shtyhet Sërish gjykimi i të rinjve preshevarë

14.02.2012 (komentet: 0)

Përfaqësuesit e shqiptarëve të Luginës së Preshevës, në cilësinë e vëzhguesve të procesit gjyqësor kanë theksuar se gjykata ka nisur me manovrime të sërishme ndaj këtij procesi, raporton INA.

 

Beograd, 14 shkurt  - Shtyhet sërish procesi gjyqësor ndaj 9 shqiptarëve nga Lugina e Preshevës që po mbahet në Gjyqin e Qarkut të Gjykatës Speciale për Krime Lufte në Beograd.  Seanca ka zgjatur vetëm pesë minuta dhe se vazhdimi i seancës përgatitore është caktuar për 22 shkurt, po qe se nuk ndodhë ndonjë zvarritje tjetër. Gjykata e Qarkut e Beogradit ka filluar dje procesin e rikthyer gjyqësor kundër nëntë shqiptarëve të Preshevës, që akuzohen për krime lufte.

Përfaqësuesit e shqiptarëve të Luginës së Preshevës, në cilësinë e vëzhguesve të procesit gjyqësor kanë theksuar se gjykata ka nisur me manovrime të sërishme ndaj këtij procesi, raporton INA.

"Kjo seancë që është dashur të mbahet me 31 janar, ka nisur dje. Ajo edhe dje ka vazhduar me manovrimet e trupit gjykues me në krye gjykatësen Snezhana Nikoliq Garotiq. E gjithë seanca ka zgjatur vetëm 5 minuta sa për të konstatuar se rigjykimi i procesit gjyqësor do të nisë për nëntë të rinjtë nga Presheva. Seanca është mbyllur edhe pa u`a ndarë lëndët katër të rinjve që janë duke u mbrojtur në liri", theksoi kreu i LKSH-së, Orhan Rexhepi.

Procesi gjyqësor i koduar nga autoritetet serbe si "Grupi i Gjilanit" akuzonte nëntë shqiptarët e rinj të Preshevës për kryerje të krimeve të luftës ndaj serbëve në rajonin e Gjilanit gjatë dhe pas luftës së Kosovës të vitit 1999. Ata në procesin e parë gjyqësor u dënuan me 101 vite burg, mirëpo përsëritja e procesit në shkallën më të lartë të gjyqësorit serb hodhi poshtë dënimin, duke kërkuar rigjykim, për shkak të dëshmive jobindëse dhe faktdhënëse nga ana e një dëshmitari.

Kthehu mbrapa

Shto koment