Shteti i trazuar!

09.03.2012 (komentet: 0)

Ndërkohë që tetë huliganë të komunitetit maqedonas janë arrestuar të enjten pasdite nga ana e organeve policore, të cilët natën e mbrëmshme rrahën brutalisht nxënësit shqiptarë në Shkup, analistët kanë vlerësuar se raportet ndëretnike janë tensionuar.

Agjencia e lajmeve INA ka mësuar se të arrestuarit po mbahen në pyetje në stacionet policore në Shkup, dhe se po vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të sulmit brutal ndaj nxënësve shqiptarë të fshatrave të Karshiakës që ndodhi në autobusin e linjës Shkup - Çiflik.

Familjarët e nxënësve të rrahur kanë theksuar se kanë marrë informatat lidhur me arrestimin e dhunuesve, dhe se atyre i është konfirmuar kjo edhe nga ana e Ministrisë së Punëve të Brendshme, e cila ka thirrur disa nga nxënësit për t’i identifikuar huliganët maqedonas. “Ne jemi thirrur në stacionin policor në Shkup dhe janë identifikuar disa nga dhunuesit”, theksoi për INA, një nga prindërit e fëmijëve të rrahur.

Ndërkohë, edhe sekretari i përgjithshëm i BDI-së, Abdilaqim Ademi ka konfirmuar arrestimet, duke shtuar se janë arrestuar disa nga personat e involvuar në incidentin brutal. “Disa nga personat janë kapur dhe kanë pranuar se ishin përfshirë në rrahjen brutale të nxënësve shqiptarë. Hetimet po vijojnë dhe ne garantojmë shqiptarët se institucionet po kryejnë detyrën për të zbardhur incidentin dhe të marrin dënimin e merituar”, theksoi në një intervistë për RTK, ministri i Ekologjisë i Maqedonisë, Abdilaqim Ademi.

Në incidentin e ndodhur mbrëmë në lagjen Kisella Vodë të Shkupit, mbi 20 persona të maskuar kanë ndërhyrë në një nga autobusët urban, duke ushtruar dhunë ndaj 15 nxënësve shqiptarë, pesë prej të cilëve janë në gjendje të rëndë shëndetësore.

Ditë më parë një polic maqedonas, i cili nuk ishte në detyrë, vrau dy të rinj shqiptarë në Gostivar pas argumentimeve rreth një parkingu. Këto dhe provokime të tjera të përditshme, diskriminimi nga institucionet, etj., sipas analistëve, kanë bërë që në Maqedoni të tensionohen raportet ndëretnike, 12 vjet pas konfliktit të armatosur që çoi në paqe me nënshkrimin e Marrëveshjes së Ohrit, e cila akoma nuk është implemtuar në tërësi. 

Kthehu mbrapa

Shto koment