"Shtëpia e oficerëve serb" në vendin Burmali Xhamisë, reagon BFIM

20.04.2012 (komentet: 0)

Bashkësia Fetare Islame në Maqedoni ka reaguar ashpër ndaj vendimit të Qeverisë që në vendin e Burmali Xhamisë në sheshin e Shkupit të ngritet objekti i ish-shtëpisë së oficerëve, të ndërtuar gjatë periudhës së mbretërisë serbe, informon agjencia e lajmeve INA.


 

“Mbrëmë me keqardhje dhe habi të madhe morën informatën përmes mediumeve elektronike se Ministria e Transportit dhe Lidhjeve si dhe Komuna Qendër, biznesmenit grek Kondominas, i kanë dhënë lejen për ndërtimin e Shtëpisë së Oficerëve në sheshin e Qytetit të Shkupit, mbi themelet e xhamisë së Burmalisë e cila me shekuj ka qenë pjesë e atij sheshi. Shpesh herë në mënyrë të shkruar dhe gojore  kemi informuar kreun shtetërorë, ministritë përgjegjëse por edhe Komunën Qendër, dhe nga ato kemi kërkuar që të lejojnë rindërtimin e Xhamisë së Burmalisë e cila ka qenë themeluese e sheshit të sotëm të Shkupit”, theksohet në reagimin e BFIM, drejtuar kryeministrit Nikolla Gruevskit, kryetarëve të Qytetit të Shkupit dhe komunës Qendër si dhe përfaqësuesve ndërkombëtarë.  

BFIM thekson se në asnjë rast si institucion fetar islam së bashku me besimtarët nuk do të pajtohen në asnjë rast që në lokacionin e Xhamisë së Burmalisë së shkatërruar të ndërtohet Shtëpia e Oficerëve e cila siç thuhet simbolizon militantizmin e okupatorit serb. 

“Siç duket, Qeveria juaj aspak nuk i mirëkupton ndjenjat fetare të myslimanëve të Maqedonisë. Një herë vendi i bekuar islam në Sheshin e Shkupit u çnderua me ndërtimin e Shtëpisë së Oficerëve. Por ju sot në mënyrë të vetëdijshme përsëri lëndoni ndjenjat fetare të bashkëqytetarëve tuaj duke çnderuar për herë të dytë hapësirën islame në qendrën e Shkupit. Me këtë korrespodencë me shkrim në mënyrë serioze ju paralajmërojmë se nëse fillon çfarëdoqoftë ndërtimi mbi themelet e Xhamisë së Burmalisë, pasojat nga sjellja juaj jo njerëzore do ti mbartni Ju që keni sjellë një vendim të tillë në një kohë e cila është tepër e ndjeshme për raportet ndëretnike dhe ndërfetare në vend. Ne shpresojmë se logjika do të mbizotërojnë dhe do ta ndërpritni këtë punë shejtani”, thuhet në reagimin e BFIM të firmosur nga kryetari Sulejman Rexhepi.

Shtëpia e oficerëve serb ishte ndërtuar gjatë pushimit serb të Shkupit dhe në periudhën e gjenocidit të rëndë kundër shqiptarëve gjatë vitit 1929, kur mijëra familje u deportuan nga kjo zonë qendrore. Ky objekt ishte rrënuar në vitin 1963, gjatë tërmetit në Shkup, për shkak të dëmeve të mëdha të shkaktuara. Por, me projektin “Shkupi 2014” ishte paraparë rikthimi i këtij objekti, ndërsa pronësinë e tij e fitoi në një tender të shpallur biznesmeni grek Kondominas, ku përveç ndërtimit të këtij objekti, ai ka përfituar edhe një hapësirë për ndërtimin e një hoteli luksoz. Biznesmeni grek fitoi pronën pas ofertës së dhënë për blerjen e hapësirës për 100 euro për metër katror. (INA) 

Kthehu mbrapa

Shto koment