Shtatë kushtet e Gjermanisë për Serbinë

13.09.2012 (komentet: 0)

Kushtet e Parlamentit gjerman për nisjen e negociatave për anëtarësimin e Serbisë në BE nuk kanë të bëjnë vetëm me Kosovën. Para se Bundestagu ta marrë vendimin pozitiv për negociatat, Serbia duhet t’i plotësojë gjithsej shtatë kushte tjera, midis të cilave janë edhe ndriçimi i sulmit në ambasadën gjermane dhe përcaktimi i qartë i krimeve, siç është ai i Srebrenicës, ka deklaruar sot në Beograd zyrtari lartë i partisë së kancelares Merkel, Andreas Schockenhoff.

 

Kur është fjala për Kosovën, Schockenhoff ka thënë se Gjermania pret që Serbia, para nisjes së negociatave për pranimin si anëtare në Bashkimin Evropian, të nënshkruaj me Kosovën deklaratën e përbashkët juridiko-obliguese e cila do të zbatohej deri në fund të negociatave për pranim.

Ai ka theksuar se u mbetet “partnerëve”, Kosovës dhe Serbisë, që ta sajojnë përmbajtjen e asaj deklarate. Si shembull për këtë ka cekur traktatin për raportet e mira fqinjësore, ndërsa ka vënë në pak se këtë lloj marrëveshje e cek “vetëm si shembull”.

Zyrtari gjerman ka prezantuar shtatë pikat që i pret Gjermania nga Serbia në rrugën drejtë BE-së, duke theksuar se nuk është fjala për kurrfarë kërkesash të reja, po për kriteret që i janë prezantuar “jo vetëm qeverisë së mëparshme dhe Parlamentit, por edhe përfaqësuesve te të gjitha partive dhe grupeve politike në legjislaturën e mëparshme”, transmeton RTK.

Kushtet që Gjermania ia shtron Serbisë janë:

1. Deri në marrjen vendimit mbi fillimin e negociatave, Serbia duhet ta për mbush Planin e aksionit i cili në fillimit të vitit 2011 e ka lidhur me Komisionin Evropian.

2. Ndriçimi i sulmit në ambasadën gjermane në Beograd, në shkurt të vitit 2008, kur Gjermania e ka njohur pavarësinë e Kosovës, si dhe ndjekjen e dënimin e autorëve.

3. Edhe pse Serbia gjatë viteve të shkuara ka ndërmarrë hapa të dukshëm për tejkalimin e të kaluarës, nevojitet përparim i mëtejmë. Hap mbrapa është deklarata “se në Srebrenicë nuk ka pasur gjenocid”. Bundestagu pret sinjale të qarta në drejtim të vazhdimit të pajtimit në rajon.

4. Para marrjes së vendimit në Parlamentin gjerman për nisjen e negociatave me Serbinë, pritet realizimi i plotë i rezultateve të deritashme në procesin e dialogut ndërmjet Beogradit e Prishtinës dhe ujdia për vazhdimin e dialogut jashtë temave tani më të parashikuara, sikurse janë energjetika dhe telekomunikacioni. Në këtë rrafsh duhet të arrihet përparim i prekshëm lidhur me zgjidhjet e çështjeve ende të hapura bilaterale me Kosovën.

5. Si e qenësishme është pritja që ka të bëj me strukturat paralele serbe në veri të Kosovës. Bundestagu pret në vazhdimësi fillimin e heqjes së strukturave paralele në aparatin e sigurisë e të administratës si dhe të financimin e tyre.

6. Beogradi duhet edhe më shumë ta përdorë ndikimin e vet dhe të ndikojë në vazhdimësi tek serbët në veri të Kosovës që aktivisht të bashkëpunojnë me EULEX-in dhe KFOR-in.

7. Me përafrimin e anëtarësisë nuk guxon të barten konfliktet e pazgjidhura në BE. Serbia para negociatave lypset të tregojë vullnet evident se është e gatshme të arrijë normalizimin juridikisht obligues të raporteve me Kosovën me perspektivën se të dy anëtaret me të drejta të barabarta në kuptimin e traktatit të BE, mund t’i realizojnë të drejtat dhe detyrimet e veta pavarësisht nga njëra tjetra dhe bashkërisht. /Telegrafi/

Kthehu mbrapa

Shto koment