Shqiptarja hap shtëpi për pleq në Zvicër

03.11.2014 (komentet: 0)

 

 
Shqiptarja hap shtëpi për pleq në Zvicër

Igballe Ibrahimi është themeluese dhe pronare e Shtëpisë së Pleqve “Rägeboge Wohne – Pflegewohngrupe“, ose në shqip “Shtëpia e Ylberit” që gjendet Wetzikon të Cyrihut. Ibrahimi ka shkuar në Zvicër qe 27 vite.

“Çdo herë kam pasur dëshirë që ta themeloj një shtëpi për pleq dhe sot jam pronare e një shtëpie të tillë dhe gjendet Wetzikon te Cyrihut. Shtëpia ka një hapësirë për banim prej 270 metrash katrorë. 3 dhoma janë dyshe, dhe dy njëshe. Është e hapur për të gjitha nacionalitetet dhe është e banuar me 8 pleq të kombeve të ndryshme”, ka thënë Ibrahimi, për albinfo.

“Stafi është i përbërë nga punëtorë të kualifikuar ku kemi edhe shqiptarë. Kemi infermiere, ndihmëse të infermiereve, mjekë, psikiatër, kujdestarë, kuzhinierë, persona që e udhëheqin administratën e tjerë”.

Ajo thotë se ka shumë kërkesa dhe nevoja është e madhe.

“Ne e kemi një listë ku regjistrohen të interesuarit dhe presin momentin që të hapet një vend i lirë. Shtëpia financohet prej vetvetes, nga shtesat e pensioneve të pleqve me të cilat ne i paguajmë të gjitha nevojat për funksionimin e infrastrukturës”, ka thënë ajo.

Secili njeri në Zvicër që ka një leje qëndrimi të rregullt, edhe në qoftë se ka pension të ulët, ka të drejtë të bëhet banor i një shtëpie për pleq, e jo vetëm të pasurit me pensione të larta, siç mendojnë shumë njerëz.

“Këtu në Zvicër janë disa forma të mbështetjes financiare për t`i ndihmuar pleqtë, si: AHV (AVS) ose Sigurimi i pleqërisë, Fondi pensional ose shtylla e dytë, shtesat e pensionit së pleqërisë, dhe tjera institucione”, ka thënë ajo.

Ajo do që ta zgjerojë këtë shtëpi me një grup që do të përbëhet vetëm nga shqiptarë ose njerëz shqipfolës.

“Të gjitha kushtet e jetesës në këtë shtëpi për pleq, do t’i përshtaten mentalitetit dhe kulturës sonë, që do të thotë: specialitete nga kuzhina shqiptare, personeli shqipfolës, televizioni dhe mediet shqiptare e kështu me radhe. Këta do të munden të flasim me njëri tjetrin shqip, do të organizojmë aktivitete në gjuhën shqipe, do të ndihen si në shtëpinë e tyre, dhe do të munden t’i vizitojnë ose ti marrin fëmijët e tyre në çdo kohë dhe moment. Në fillim do të provoj me vetëm 8 persona, dhe pastaj do të shohim si do të ecë puna dhe a ia vlen të zgjerohemi edhe më tepër”, ka thënë ajo.

Ibrahimi beson se në këtë mënyrë ata do të lirohen edhe ata nga dinamika dhe stresi i përditshëm i fëmijëve të tyre, dhe do t`i lironin fëmijët e tyre nga nevojat specifike që këta i kanë si të moshuar.

“Këtu tek ne, do të ndihen sikur në shtëpinë e tyre, afër fëmijëve dhe nipërve me tërë kujdesin mjekësor dhe ndihmën e duhur. Nostalgjinë dhe mërzitjen do ta luftojnë duke biseduar me njëri tjetrin dhe pasi që janë afërsisht moshatarë, do të munden t`i rrëfejnë ndodhitë dhe historitë që i kanë përjetuar gjatë jetës së tyre”.

Shqiptarja ka një porosi për bashkatdhetarët në Zvicër.

“Kam dëshirë t’u them bashkatdhetarëve të mi në Zvicër, gjeneratës së dytë, që të mundohen sa më shumë ta luftojnë idenë tradicionale që shumica e mbajnë si krenari familjare, se plakun ose plakën nuk duhet dërguar në shtëpi për pleq por duhet ta mbajë nusja apo djali. Jeta me dinamizmin e vet ka ecur përpara për të gjithë njerëzit e edhe për ne shqiptarët, dhe ka marrë drejtim i cili na imponon medoemos ndryshim në kulturë dhe traditë. Nuk është turp ta vendosësh një plak në një shtëpi ku ai e ndien veten të lumtur, të qetë dhe nën kujdes, dhe ku mundet ta vizitojë familja e tij në çdo moment. Unë punën time e bëj me zemër dhe vullnet të madh”, ka thënë ajo, për të mos u ndalur me kaq.

“Mesazhi im i dytë është që të bëhemi të gjithë së bashku, t`i luftojmë qëndrimet të cilat nuk përputhen me realitetin dhe na bllokojnë në veprimtari. Në vend që të hapen firma të ndryshme fitimprurëse kishte qenë mirë nëse do të hapeshin edhe më tepër shtëpi për pleqtë tanë në diaspore, sepse nevoja e tyre do te bëhet në të ardhmen një preokupim serioz dhe real i të gjithë neve”./botasot/

Kthehu mbrapa

Shto koment