Shqiptarët në Maqedoni po e defaktorizojnë veten

27.04.2015 (komentet: 0)

Shkëlzen Maliqi dhe Nexhmedin Spahiu kanë folur për situatën e fundit në Maqedoni. Ata e kanë vlerësuar të pamundshme ndërhyrjen e Kosovës dhe Shqipërisë në zgjidhjen e problemeve të shqiptarëve të Maqedonisë.

Maliqi dhe Spahiu për situatën e vështirë të shqiptarëve në Maqedoni e kanë fajësuar klasën politike shqiptare atje.
Këshilltari i Edi Ramës për rajonin, Shkëlzen Maliqi, ka thënë për “Epokën e re” se situata aktuale në Maqedoni është mjaft e komplikuar. “Situata në Maqedoni nuk është shumë e qartë. Faktori shqiptar në Maqedoni, në vend se të bashkohet, është shumë i ndarë dhe kështu e defaktorizon vetën. Pra, faktori shqiptar në Maqedoni nuk paraqitet si një zë para palës maqedonase. Kështu që, edhe ndonjë intervenim nga jashtë nuk ka ndonjë adresë të qartë”, ka thënë Maliqi, duke shtuar se ajo çfarë po ndodh tani në Maqedoni është relativisht e komplikuar dhe, sipas tij, Kosova dhe Shqipëria nuk mund të ndërhyjnë suksesshëm atje. “Në këtë shtet pak ka hapësirë të bëjë diçka më shumë Kosova dhe Shqipëria, sepse faktori politik shqiptar atje që një kohë e ka bllokuar vetveten. Gara e brendshme që ata kanë për pushtet, e ul ndjeshëm pazarin e tyre. Nuk mund të ndihmoj dikush nga jashtë, nëse vetë shqiptarët e Maqedonisë nuk e kanë një zë të drejtpërdrejtë”, është shprehur Maliqi.
Më tutje, ai ka vlerësuar se Maqedonia po shkon drejt zgjedhjeve të reja, duke bërë me dije se pas këtyre zgjedhjeve shqiptarët atje duhet të bashkohen në mënyrë që edhe dy shtetet shqiptare t’i ndihmojnë ata. “Atje situata po shkon drejt zgjedhjeve të reja. Ndoshta do të duhej që BDI-ja të largohej nga qeveria dhe më pas shqiptarët e Maqedonisë të ndërtojnë një koalicion për interes të shqiptarëve atje, të cilin do të mund ta përkrahin Kosova dhe Shqipëria, në kuptimin që të zgjidhen problemet e shqiptarëve në Maqedoni”, ka deklaruar Maliqi.
Edhe analisti tjetër politik, Nexhmedin Spahiu, ka deklaruar për “Epokën e re” se klasa politike shqiptare atje ka gabuar që i ka përkrahur forcat politike që nuk i ka dashur Perëndimi. Ai ka treguar se Perëndimi ka tentuar ta rrezojë nga pushteti kryeministrin aktual të Maqedonisë edhe gjatë zgjedhjeve të kaluara. Sipas Spahiut, shqiptarët gabuan në zgjedhjet presidenciale që nuk e përkrahen kandidatin e LSDM-së, Stevo Pendarovksi. “Edhe pse Perëndimi në mënyrë indirekte u bëri thirrje shqiptarëve të Maqedonisë që të votojnë Pendarvoskin për president të Maqedonisë, në mënyrë që ta zbusin pushtetin aty, klasa politike shqiptare atje u tregua e padëgjueshme. Në këtë drejtim nuk u dëgjuan as këshillat që erdhën nga Prishtina, sepse dihet se para zgjedhjeve presidenciale në Maqedoni, ish-kryeministri Hashim Thaçi kishte takuar Pendarvoskin në Prishtinë, duke ua bërë me dije shqiptarëve të Maqedonisë se kë duhet ta votojnë. Por, ata nuk e dëgjuan këtë dhe e përkrahen kandidatin e Gruevskit për president”, ka thënë Spahiu, duke shtuar se tani është e pasinqertë nga ana e klasës politike shqiptare në Maqedoni të kërkojnë ndihmë nga Prishtina dhe Tirana. Në këtë kontekst, ai ka thënë se Perëndimi tani Gruevskin po mundohet ta rrezojë edhe nëpërmjet përgjimeve ndërsa, sipas tij, klasa politike shqiptare në Maqedoni tek tash e ka kuptuar gabimin. “Klasa politike e shqiptarëve në Maqedoni duhet t’i kërkojë falje elektoratit të vet për një kurs të gabuar që ka ndjekur ose duhet që kjo klasë politike të ndërrohet me emra të tjerë. Është e patolerueshme që klasa politike e shqiptarëve në Maqedoni t’i përkrahë forcat politike pro-serbe në Maqedoni, sepse në këtë shtet dihet se ka dy tendenca: ajo pro bullgare dhe ajo pro serbe. Tani Perëndimi i përkrah forcat pro bullgare në Maqedoni, ndërsa pushtetin aktualisht e ka forca politike pro serbe. Ndërsa shqiptarët, në vend se t’i përkrahin forcat pro bullgare në Maqedoni, ata në zgjedhjet e fundit i përkrahen forcat pro serbe në Maqedoni. Kjo natyrisht jo vetëm se nuk është interes i Perëndimit, por as i Kosovës dhe as i Shqipërisë, as i shqiptarëve të Maqedonisë”, ka thënë Spahiu. 
Por ndryshe mendon publicisti shqiptar nga Maqedonia, Kim Mehmeti. Para pak ditësh ai ka deklaruar për “Epokën e re” se Shqipëria dhe Kosova duhet të interesohen për shqiptarët e Maqedonisë. “Mendoj se ka ardhur dita kur ne shqiptarët e Maqedonisë do të duhet të përballemi me vetveten, si dhe t’ua shtrojmë një pyetje të vetme zyrtarëve të Tiranës e të Prishtinës. E pyetja është: Pse ata i përkrahin dhe sillen me aq mirëkuptim ndaj qeverive antishqiptare të Shkupit?! Dhe nëse përgjigjja e tyre do të ishte, për shembull, se ata nuk mund të ndërhyjnë në zgjedhjen që bëjnë maqedonasit, atëherë pse nuk u sollën kështu edhe ndaj Millosheviqit, të cilin gjithashtu e votonte populli serb?”, ka thënë Mehmeti, duke shtuar se mospërfillja e regjimeve maqedonase ndaj shqiptarëve të Maqedonisë ka të bëjë edhe me qëndrim mospërfillës të Tiranës dhe Prishtinës.

Kthehu mbrapa

Shto koment