Shqipëria vitin e kaluar humbi 2900 banorë

14.02.2015 (komentet: 0)

 

 popullsia

 

 

Popullsia e Shqipërisë më 1 Janar 2015 arriti në 2.893.005 banorë duke pësuar një rënie prej 2.942 banorësh, krahasuar me atë të 1 janarit të vitit 2014. Të dhënat vijnë nga Instituti i Statistikave, i cili pohon gjithashtu se meshkujt janë më të shumë në numër se femrat.

 

Nga kjo popullsi, 1.462.005 janë meshkuj dhe 1.431.000 janë femra. Raporti gjinor i popullsisë së Shqipërisë është 102,1 meshkuj për çdo 100 femra. Mosha mesatare e popullsisë së Shqipërisë është 35 vjeç.


Lindjet
Gjatë vitit 2014 numri i lindjeve në Shqipëri ka qenë 35.760, nga të cilët 18.683 ishin meshkuj dhe 17.077 ishin femra.


Vdekjet
Gjatë vitit 2014 në Shqipëri kanë ndodhur 20.656 vdekje, nga të cilat 11.111 ishin meshkuj dhe 9.545 ishin femra. Shtesa natyrore për vitin e kaluar ka qenë 15.104 persona.


Emigrimi
Në vitin 2014, u vlerësua të jenë larguar nga vendi 46.413 persona ku 52% e zinin meshkujt. Imigrimi: Në të njëjtin vit numri i imigrantëve në Shqipëri u vlerësua të jetë 28.486 persona. Migracioni neto gjatë vitit të kaluar ka qenë – 8.046. Rrjedhimisht popullsia e Shqipërisë ka pësuar një rënie prej 2.942 personash.


Ndryshimet vjetore të komponentëve demografikë: Gjatë vitit 2014 numri i lindjeve dhe ai i vdekjeve mbeti pothuaj i njëjtë krahasuar me vitin 2013. U regjistruan vetëm 10 lindje dhe 214 vdekje më shumë.


Qarku me popullsinë më të lartë në Shqipëri mbetet Tirana me 800.986 banorë, e ndjekur nga Fieri me 315.012 dhe Elbasani me 301.397 banorë. Qarqet me popullsinë më të ulët në vend janë Gjirokastra, Kukësi dhe Dibra, respektivisht me nga 72.202, 85.461, 136.476 banorë.


Nga të gjitha qarqet vetëm Tirana, Durrësi dhe Vlora kanë njohur rritje të popullsisë, ndërsa popullsia e të gjitha qarqeve të tjera ka pësuar rënie. Qarku me rritjen më të madhe të popullsisë është Tirana me një rritje vjetore prej 1,61%, ndërsa qarku me rënien më të lartë të popullsisë është Gjirokastra me një rënie vjetore prej 1,84 %.
Qarku me raportin gjinor më të lartë është Dibra me 106,6 meshkuj për 100 femra, ndërkohë që në qarkun e Tiranës ky raport është më i ulëti me 99,3 meshkuj për 100 femra.

Kthehu mbrapa

Shto koment