Shqipëria ndan 235 mln Lekë për lobim për Kosovën

19.06.2012 (komentet: 0)

Lobimi për Kosovën dhe ai për statusin e vendit kandidat për në BE, zënë pjesën e luanit në buxhetin e diplomacisë shqiptare, por më pak se sa vitin e kaluar. Duket se kriza ekonomike ka prekur edhe diplomacinë shqiptare.

Në raportin tremujor, që gazeta “Shekulli” disponon, për këtë vit janë parashikuar rreth 900 milionë lekë që do të harxhohen për takime dhe vizita e me zyrtarët e lartë të Bashkimit Evropian për të diskutuar për çështjen e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Aktiviteti Diplomatik dhe Konsullor i MPJ, zhvillimi i dialogut politik, zbatimi i detyrimeve të Kapitullit 31, janë disa aktiviteteve të Ministrisë së Jashtme të cilat marrin dhe pjesën më të madhe të buxhetit për aktivitetin diplomatik.

Gjatë 12 muajve diplomacia shqiptare ka parashikuar që të zhvillojë në total për këto aktivitete 209 takime, ku vetëm në tremujorin e parë ka zhvilluar 31 takime.

Lobimi për shtetin e Kosovës dhe rritjen e njohjeve të saj zë një vend special. Sipas të dhënave të raportit, lobimi për Kosovën dhe përfaqësimi për pjesën e Kosovës përmes ambasadave apo konsullatave tona është parashikuar të jetë rreth 235 milionë lekë të vjetra. Për tre muajt e parë, për këtë qëllim Ministria e Jashtme ka shpenzuar rreth 45 milion lekë.

Mbështetja diplomatike për përfaqësitë tona jashtë shtetit është parashikuar që të shkojë rreth 1,9 miliardë lekë. Për zgjerimin e rrjetit të përfaqësive tona diplomatike dhe konsullore, qeveria parashikon që të harxhojë rreth 150 milionë lekë, ndërsa blerja e pajisjeve për zyra dhe për apartamentet priten që të shpenzohen rreth 300 milionë lekë.

Pokaq është edhe shuma e programuar për blerjen e automjeteve të cilat do të përdoren nga diplomatët tanë në vendet ku ata punojnë. Për tre mujorin e parë janë shpenzuar rreth 500 milionë lekë nga Ministria e Jashtme.

Gjatë vitit 2012 në Shqipëri do të priten 100 delegacione ndërkombëtare për të cilat do të kërkohet edhe shtesë në personelin e Ministrisë së Jashtme. Trajtimi i delegacioneve të huaja të cilat do të vizitojnë Tiranën do të kushtojë për këtë vit rreth 120 milion lekë. 

Kthehu mbrapa

Shto koment