SHIKIMI I MARRËVESHJES DHE ‘FUSNOTËS’ NGA WASHINGTONI

28.02.2012 (komentet: 0)

Marrëveshja e arritur në Bruksel midis Kosovës dhe Serbisë mbi pjesëmarrjen e Kosovës në takimet rajonale, në Shtetet e Bashkuara nga politika zyrtare është vlerësuar si një hap që do ta çojë Kosovën më afër anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe shtimit të njohjeve të reja.

Sekretarja e Shtetit, Hillary Clinton ka thënë se Washingtoni e ka mbështetur procesin që nga fillimi, i vetëdijshëm që është një zgjedhje e vështirë politike, por që çonë Kosovën më afër integrimit evropian dhe ndërkombëtar.

Shtypi ndërkaq ka dhënë raporte nga korrespondentët, duke sjellë deklarata nga Prishtina dhe Beogradi, por edhe qëndrimet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të Brukselit zyrtar.

Gazeta the New York Times theksonte se marrëveshja në njërën anë i hapte rrugë Serbisë për marrjen edhe zyrtarisht të statusin e ‘kandidatit’ në rrugën kah Bashkimit Evropian, Kosovës ndërkaq, marrëveshja i ‘siguronte’ studimin nga ana e Komisioni Evropian të fizibilitetit mbi arritjen e një marrëveshje Stabilizim-Asocimi që do
të ishte një fillim i marrëdhënieve kontraktuale me BE-në dhe një hap i parë ligjor dhe zyrtar kah anëtarësimi në familjen evropiane. 

Edhe gazeta Washington Post në një korrespondence nga Brukseli theksonte se ‘kompromisi ishte i propozuar nga Bashkimi Evropian dhe u pranua nga të dyja palët’ për të shpjeguar më tutje domethënien e fusnotës me dykuptimësinë e saj.

Analistë dhe ish diplomatë, njohës nga afër të zhvillimeve në Kosovë kanë pasur mendime kundërthënëse rreth fusnotës dhe marrëveshjes.

Derisa ish diplomati James Hooper ka shprehur frikën se me marrëveshjen Kosova do të ngujohet dhe shndërrohet në një ”shtet asterisk,” dhe bën krahasime me termin FYROM në të cilin është ngujuar Maqedonia për afro dy dekada, analisti dhe ish diplomati Daniel Server në një deklaratë të tij thotë se ‘të dyja palët kanë përfituar nga marrëveshja.’ 

Server thotë se hapi më i rëndësishëm i ardhshëm për Kosovën është të fitojë sa më shumë njohje dhe të angazhohet për anëtarësim në Kombet e Bashkuara.

Kthehu mbrapa

Shto koment