SHBA: Kosova ka shënuar progres në luftën kundër terrorizmit

31.05.2013 (komentet: 0)

Washington, 31 maj - Departamenti Amerikan i Shtetit ka dhënë dje raportet për secilin vend veç e veç për luftën kundër terrorizimit ndërkombëtar për vitin 2012.

 


Për Kosovën thuhet se Qeveria e saj ka vazhduar të bashkëpunojë me SHBA në këtë luftë dhe ka shënuar progres në shumë fronte. Mirëpo këtu nënvizohet se situata e sigurisë dhe politike në veriun e Kosovës ka kufizuar qeverinë të ushtrojë autoritetin, ku KFOR-i dhe EULEX-i janë përgjegjës për siguri dhe sundim të ligjit, përfshirë edhe kufijtë.

Hyrja në fuqi e Kodit të ri Penal dhe Kodit të ri të Procedurës Penale në janar, rritë dënimet për krime të lidhura me terrorizëm dhe lejon ndjekjen ligjore të terroristëve edhe nëse një akt i planifikuar nuk ekzekutohet. Kodi i ri i procedurës penale u jep autoriteteve të Kosovës elasticitet më të madh për të hetuar veprat penale në fazat e planifikimit, thekson raporti, trsnmeton RTK. Raporti përmend edhe raste të të akuzuarve për terrorizëm që janë gjykuar qoftë si pjesëtarë të AKSH-së (Armatës Kombëtare Shqiptare) apo individë që janë ekstraduar në Maqedoni, të akuzuar për vepër terroriste. 

Rreth kundërvënies së financimeve terroriste, thuhet se Kuvendi i Kosovës ka shqyrtuar rishikimet në Ligjin për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Financimit të Terrorizmit, gjë që do të forconte legjislacionin ekzistues. Nëse miratohen amendamentet ato do të ndihmonin Kosovën të zbatojë plotësisht standardet ndërkombëtare kundër pastrimit të parave dhe financimeve kundër terroriste, thuhet në raport. 

Raporti përmend edhe programe trajnimi dhe donacione të pajisjeve nga SHBA, që kanë vazhduar të përmirësojnë aftësinë e Autoritetit Doganor dhe të Policisë Kufitare që të kontrollojnë kufijtë e Kosovës dhe të zbulojnë dhe ndalojnë armët dhe kontrabandën tjetër në pikat kufitare. 

Kthehu mbrapa

Shto koment