SHBA-ja konfirmon praninë e ISIS-it në Kosovë

23.01.2015 (komentet: 0)

 

SHBA-ja konfirmon praninë e ISIS-it në Kosovë
Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, gjatë ditës së sotme pas takimit me krerët e shteteve pjesëmarrëse në koalicionin kundër terrorizmit, deklaroi se edhe Kosova dhe shtetet e Evropës janë të përfshira në luftërat që po i zhvillon ISIS-i në Siri dhe në Irak.

 

Kerry tha se në valën e operacioneve kundër celulave terroriste në Evropë janë lokalizuar dhe shkatërruar të tilla edhe në Kosovë, përveçse në disa vende të tjera evropiane dhe aziatike.

“Qeliza me luftëtarë të huaj janë goditur në Austri, Malajzi, Kosovë… , në vende të tjera, luftëtarë të huaj janë ndjekur penalisht, si në Gjermani, Australi dhe në Mbretërinë e Bashkuar. Arabia Saudite ka lëshuar dekrete zyrtare për ta shpallur organizatë kriminale “Shtetin Islamik” dhe ka shkatërruar celula të tij të lidhura me Sirinë. Po shkatërrojmë kapacitetin e ISIS-¬it për rafinimin e naftës, që pengon financimin e tij nga tregtia e naftës. Ka shenja të qarta se nismat tona i kanë kufizuar operacionet e “Shtetit Islamik’”, ka thënë Kerry.

Mirëpo, kjo deklaratë e Kerryt për njohësin e çështjeve të sigurisë, Avni Islamin, nuk është e sqaruar aq sa duhet.

Sipas tij, në Kosovë nuk ka celula terroriste, por Islami thotë se nëse ka pasur celula të tilla në Kosovë, atëherë, siç deklaroi ai “nëse ka pasur, ku janë, ku janë arrestuar e çfarë armatimi, me çfarë organizimi, etj”.

Islami thotë se në Kosovë nuk ekzistojnë celula të tilla, por vetëm celula ideologjike “vehabiste”.

“Në Kosovë ka celula ideologjike vehabiste, të cilat janë të afërta me ISIS-in dhe “Al- Nusra”-n, ku të rinjtë i përgatitnin në aspektin moral e ideologjik se si duhet të luftohet për formimin e Hilafetit, si dhe duhet të luftohen të gjithë ata që nuk mendojnë njëjtë si këta të fundit”, ka deklaruar ai për “Zërin”.

Sipas Islamit, detyra e këtyre celulave “vehabiste” është që kanë përhapur dhe po përhapin ideologji ekstremiste fetare në Kosovë në emër të fesë islame.

“Janë vetëm disa keqpërdorues që po i përgatitin, në aspektin psikologjik, të rinjtë tanë dhe se ata po i drejtojnë në drejtim të Sirisë dhe të Irakut, ku përmes Turqisë po kalojnë në zonat e luftës”, ka deklaruar Islami për “Zërin”.

Islami u bëri thirrje shteteve të Perëndimit se nëse në Kosovë ka celula terroriste, atëherë le të tregojnë se ku i kanë kampet.

“Nëse paska celula terroriste në Kosovë, le të tregojnë ku janë kampet e atyre që janë ushtruar dhe rekrutuar për të luftuar. Pra këtu po përgatiten vetëm në aspektin ideologjik individ të caktuar dhe se me arrestimin e disa imamëve në Kosovë mendoj se është arritur efekt i kënaqshëm”, ka deklaruar Islami, i cili shtoi se, asnjë vend në botë nuk është imun ndaj pengimit 100 për qind të ndalimit të mosshkuarjes së individëve në luftërat e vendeve arabe e që, sipas tij, as Kosova nuk mund të garantojë 100 për qind një gjë të tillë.

Ndërkaq, Avni Zogiani, nga shoqëria civile, ka thënë për “Zërin”, se tashmë është e ditur botërisht që Kosova është pjesë e grupeve që luftojnë në Siri dhe në Irak.

Zogiani ka thënë se në bazë të statistikave të publikuara nga CIA, janë rreth 140-150 kosovarë që luftojnë në Siri dhe në Irak, ndërkaq, sipas tij, në Ballkan prin Bosnja me më së shumti pjesëtarë që iu kanë bashkuar këtyre luftërave.

“Është shumë evidente fakti që ekziston një sistem rekrutimi në ISIS. Mirëpo, a janë shkatërruar celulat, e kemi problem ta dimë. Ka pasur masa, por që nuk kanë prekur në tel këtë fenomen. Ka pasur burgosje masive të imamëve me orientim fetar”, ka deklaruar Zogiani për “Zërin”, i cili shtoi se arrestimi i këtyre imamëve më vonë ka treguar që ka pasur kundërefekt.

“Burgosja e Shefqet Krasniqit e më pas lirimi i tij, ka qenë një kundërefekt, për shkak se pas lirimit të tij, në xhaminë ku ai është imam, ka pasur shumë më shumë përkrahës të tij”, ka treguar Zogiani.

Sipas Zogianit, burgosja e disa imamëve ka qenë më shumë një shou medial sesa që është arritur ndonjë rezultat.

“Edhe burgosja e disa imamëve qysh është bërë në Kosovë me një shou publik, vetëm sa e përkeqëson situatën dhe nuk e ndihmon shumë. Këto gjëra përkeqësojnë situatën e rrymave të tilla në Kosovë”, ka thënë Zogiani.

/Valmira Halimi/zeri/

Kthehu mbrapa

Shto koment