Sërish incidente në Maqedoni, goditet me gurë autobusi me shqiptarë

21.03.2012 (komentet: 0)

Një tjetër incident me natyrë etnike është shënuar në Maqedoni. Një autobus me nxënës shqiptarë të shkollës së mesme të Kumanovës është sulmuar mbrëmë me gurë në fshatin Ludobrag.

Nga ky sulm kanë mbetur të plagosura dy vajza shqiptare, të cilat po trajtohen në Qendrën Shëndetësore të Kumanovës. Mjekët konfirmojnë se vajzat janë jashtë rrezikut për jetën. 

Sektori për Punë të Brendshme në Kumanovë ka konfirmuar incidentin që ka ndodhur mbrëmë rreth orës 19:30, ku është sulmuar autobusi me nxënës shqiptarë, që po ktheheshin në shtëpi pas përfundimit të orarit të mësimit.

Shoferi i autobusit ka bërë të ditur se 3 persona të panjohur kanë sulmuar me gurë autobusin dhe si rezultat i thyerjes së xhamave janë plagosur dy vajza.

Pak ditë më parë, 15 nxënës shqiptarë u plagosën rëndë, pas një sulmi me gurë nga persona të maskuar, në drejtim të një autobusi. Policia bëri të mundur arrestimin e 7 personave të dyshuar si autorë të ngjarjes së rëndë. Autoritetet maqedonase dhe ato shqiptare dënuan incidentet. 

Kthehu mbrapa

Shto koment