Serbia “ndërpret” hetimet kundër Thaçit e Çekut

18.04.2012 (komentet: 0)

Prokurori serb për krime lufte, Vladimir Vukcevic, tha se do të shqyrtohen të gjitha urdhër-arrestet e luftës sepse “po krijohet përshtypja se ato janë procese politike”.

"Reliktet e luftërave të viteve nëntëdhjetë janë procese në mungesë kundër personave të panjohur, të motivuar nga rrethanat politike në atë kohë. Unë mendoj se janë shumë njerëz në këto urdhër-arreste, dhe se kur vjen koha e pajtimit, ne duhet së bashku të rishqyrtojmë të gjitha këto lista nga lufta. Ato diskreditojnë vendin tonë dhe krijojnë përshtypjen se këtu po zhvillohen proceset politike”, tha Vukcevic për Danas.

I pyetur se çfarë po ndodhë me hetimet kundër Hashim Thaçit dhe Agim Çekut, “për krime lufte kundër serbëve gjatë konfliktit me UÇK-në më 1998 dhe 1999”, Vukcevic tha se "hetimet kanë një ndërprerje, dhe se lëndët në atë kohë ishin të përgatitura keq".

"Ka pas shkelje të rënda të procedurave, sidomos për Çekun... Kjo nuk do të thotë se ata nuk janë përgjegjës për shumë krime, por se hetimet nuk është dashur të bëhen para kamerave, pa avokatë e gjëra të ngjashme”

I pyetur nëse ai pret të zbulohen autorët dhe urdhëruesit e vrasjes së vëllezërve Bytyqi, Vukcevic thotë se “bashkë me kolegët amerikanë po bëjmë gjithçka që është e mundur për të ardhur deri te zgjidhja e këtij rasti”.

"Në asnjë moment nuk jemi ndalë. Në fjalën përfundimtare të Prokurorisë, të cilin keni pas rast ta dëgjoni javën e kaluar në rigjykimin e kësaj lënde, thuhet qartë se kush ka urdhëruar këtë krim: Vlastimir Dordevic, i cili nga Tribunali i Hagës pret vendimin e shkallës së dytë, dhe të gjithë personat në zinxhirin komandues janë përmendur në padinë tonë. Problemi është, e këtë e kemi cekur, se ish policët dhe pjesëmarrësit tjerë të këtij krimi po e mbulojnë njëri-tjetrin”.

Kthehu mbrapa

Shto koment