Serbia kërkon dialog politik, KEK-un dhe PTK-në

07.03.2012 (komentet: 0)

Shefi i ekipit negociator serb për bisedime me Prishtinën, Borislav Stefanovic, ka thënë se pas zgjedhjeve në Serbi do të nisë faza e dytë e dialogut me Prishtinën, nga i cili varet fillimi i negociatave të Serbisë për anëtarësim në BE dhe gjatë të cilit në tavolinë do të shtrohen temat më të komplikuara: energjia, telekomunikacioni dhe iniciativa e presidentit të Serbisë për “zgjidhjen e çështjes së Kosovës”.

Në një intervistë për agjencinë serbe Tanjug, ai është shprehur i kënaqur me gjërat që janë arritur dhe mendon se ka qenë vendim i zgjuar “ulja në tavolinën e bisedimeve me Prishtinën, përkundër dallimeve të mëdha mes dy palëve”.

“Do të ballafaqohemi me mundësinë që dialogu të bëhet politik, i cili më në fund do të rregulloj marrëdhëniet mes Beogradit dhe Prishtinës, duke respektuar interesat tona nacionale, Kushtetutën dhe ligjet e Serbisë”, ka thënë Stefanovic.

Kur është fjala te liria e lëvizjes, ai thotë se “është punuar mjaftë” në këtë drejtim dhe se pret që EULEX-i dhe KFOR-i do të kenë mundësi të lëvizjes së plotë në tërë territorin e Kosovës. Ndërsa, shton se është mundshme që të gjendet “zgjidhja edhe për telekomunikacionin dhe energjinë”, edhe pse sipas tij, “këtu qëndrimet e palëve janë larg njëra-tjetrës”.

"Nuk do të jetë e lehtë, por është e mundur", thotë Stefanovic, i cili thekson se Beogradi synon mbijetesën e “Elektro-Ekonomisë së Serbisë” dhe “Telekomit të Serbisë” në Kosovë, “posedimi i pasurisë së këtyre kompanive dhe funksionimi i tyre edhe në jug të Ibrit”.

“Ndërsa, Prishtina është duke u përpjekur për ta eliminuar praninë e cilësdo ndërmarrjeje të Serbisë në këtë territor... Këto janë dy pikat e mospajtimeve të thella, por edhe veriu specifik i Kosovës, si i vetmi vend në Kosovë ku veprojnë këto dy funksione të rëndësishme të shtetit të Serbisë”, shton Stefanovic, i cili madje përmend katërmijë “punëtorë të punësuar në Elektro-Ekonominë e Serbisë, që janë larguar nga puna pas vitit 1999”.

“Të gjitha kapacitetet energjetike dhe të prodhimit në jug të Ibrit i ka uzurpuar e ashtuquajtura Korporata Energjetike të Kosovës (KEK)”, thotë Stefanovic.

Kur është fjala te telekomi, Stefanovic thekson se do të kërkojë “zgjidhje që serbët në jug të Ibrit të kenë sinjalin 064”.

“Por, do të futet rendi edhe në çështjen e parregulluar të telefonisë fikse me të cilën tash menaxhon kompania e Kosovës PTK”, thotë Stefanovic, duke cekur se temë do të jetë “çështja e investimeve serbe në këto dy sisteme”.

Sipas tij, “kur të vjen koha”, kompanitë serbe do të iniciojnë procese “për dëshmimin e pronësisë dhe investimeve”. “Por, njëherë duhet të gjejmë zgjidhje për qytetarët”

Kthehu mbrapa

Shto koment