Serbia do t’i mbajë zgjedhjet edhe në Kosovë

07.03.2012 (komentet: 0)

Serbia do t`i dëshmojë Qeverisë së Kosovës se nuk e ka njohur Pavarësinë edhe nëpërmjet shkeljes së drejtpërdrejtë të sovranitetit të shtetit që në bashkëpunimin regjional do të prezantohet me fusnotë.

Presidenti serb, Boris Tadiq, është marrë vesh me përfaqësuesit ndërkombëtarë që të heqë dorë nga mbajtja e zgjedhjeve lokale në veri të Kosovës, por Serbisë do t`i mundësohet që në veri t`i mbajë zgjedhjet e përgjithshme dhe ato presidenciale nëse vendoset që në shtetin fqinj më 29 prill ose 6 maj të mbahen tri palë zgjedhje: presidencialet, të përgjithshmet dhe lokalet e jo vetëm ato të përgjithshme dhe lokale, siç është vendosur tashmë. Sipas burimeve ndërkombëtare, Tadiq do ta arsyetojë mosmbajtjen e zgjedhjeve lokale me Rezolutën 1244, ose me pamundësi teknike, por sipas të njëjtave burime, sa u përket zgjedhjeve të përgjithshme për parlamentin e Serbisë, ato do të mbahen në veri, dhe po kërkohet nga Qeveria e Kosovës që mbajtja e zgjedhjeve të mundësohet edhe në pjesët e tjera të vendit, ku qytetarët serbë janë shumicë.

Kthehu mbrapa

Shto koment