Sa shqiptarë jetojnë në Zvicër?

03.09.2015 (komentet: 0)

Marrë së bashku, numri i shqiptarëve në Zvicër është dukshëm më i madh se sa tregojnë statistikat për numrin e shtetasve kosovarë.

Në raportin e publikuar ditë më parë nga Zyra Federale për Statistikë, janë dhënë shifrat përfundimtare dhe të plota të të huajve që jetojnë në Zvicër. Në të vërtetë, shifrat i referohen fundit të vitit 2014, por si e tillë, kjo statistikë është më e reja dhe më kompletja.

Sipas saj, në Zvicër jetojnë afër dy milionë njerëz me pasaporta të huaja, ose 24.3 për qind e popullatës së gjithmbarshme. Të dhënat në këtë raport theksojnë se rreth dy të tretat e të gjithë të huajve janë nga shtetet e BE-së dhe Evropa Perëndimore. Numri më i madh i tyre vijnë nga Italia, e në radhë pas italianëve janë gjermanët, portugezët dhe francezët.

Ndërkaq në mesin e të huajve nga “vendet e treta”, vendin e parë e zënë shtetasit e Kosovës, të cilët kanë arritur shumë afër shifrës së 100 mijë (gjegjësisht në fund të vitit 2014 ata ishin saktësisht 99799). Pas tyre vijnë shtetasit e Serbisë (78092) dhe ata të Maqedonisë (636516). Sigurisht, në shifrat e shtetasve të Serbisë përfshihet një numër i konsiderueshëm i shqiptarëve nga Kosova dhe nga Lugina e Preshevës.

Ndërsa, në numrin e shtetasve të Maqedonisë, pjesa dërmuese janë shqiptarë etnikë. Kështu, marrë së bashku, numri i shqiptarëve në Zvicër është dukshëm më i madh se sa tregojnë statistikat. Kur kësaj i shtohet edhe numri i madh i shqiptarëve që kanë marrë pasaportat zvicerane, vetëm mund të supozohet se sa shqiptarë etnikë jetojnë në gjithë Zvicrën.

Sipas një statistike tjetër, asaj të azilit, në fund të qershorit ë këtij viti në Zvicër prinin azilkërkuesit nga Eritrea. Pas tyre vijnë ata nga Somalia, Sri Lanka, Siria Afganistani, Nigeria, Gambia, Etiopia, Kina dhe, në vendin e dhjetë azilkërkuesit nga Kosova. /albinfo/

Kthehu mbrapa

Shto koment