Rusia merr nën kontroll të gjithë krahinën e Krimesë, Ukraina përgatitet për luftë

02.03.2014 (komentet: 0)

Ukraina shpalli mobilizimin e përgjithshëm të të gjithë rezervistëve të saj, pasi Parlamenti Rus aprovoi kërkesën e presidentit Putin për të vendosur trupa në vend.

 

Aktualisht, Rusia ka praktikisht nën kontroll të gjithë krahinën e Krimesë, së banuar me shumicë nga rusë etnikë, por kërkesa e presidentit Putin përfshinte të gjithë vendin.

Të paktën 15 mijë trupa ruse janë fluturuar drejt Sevastopolit në Krime, ndërsa ushtria po grumbullohet pranë kufijve ukrainas, gati për të nisur pushtimin, duke detyruar Kievin që të mobilizojë përveç ushtrisë së rregullt edhe 1 milionë rezervistë.

Nëse Rusia do të shkelë kufijtë, besohet që Ukraina mund të shpallë mobilizimin e të gjithë meshkujve të aftë për të mbajtur armë, për të luftuar për mbrojtjen e vendit.

Në shpalljen e vendimit të mobilizimit, Andriy Parubiy, kreu i Këshillit Kombëtar të Sigurisë dhe Mbrojtjes në Ukrainë theksoi se trupat janë vendosur tashmë në gatishmëri të plotë luftarake.

Presidenti i vendit, Olexander Turchynov ka paralajmëruar se fillimi i një lufte do të “sillte fundin e çdo marrëdhënie dypalëshe me Rusinë”.

Ai shprehu bindjen që Ukraina është në gjendje të mbrojë veten e saj, ndërsa në një thirrje adresuar kombit bëri thirrje për unitet në këtë “orë krize”.

Presidenti Obama zhvilloi ditën e shtunë një bisedë telefonike 90 minutëshe me homologun Putin, në të cilin i kërkoi në mënyrë të përsëritur që të respektojë integritetin territorial të Ukrainës dhe të tërheqë trupat aktuale nga Krimeja.

Presidenti Putin, nga ana e tij theksoi se Rusia rezervon të drejtën të ndërhyjë në Ukrainë për të mbrojtur interesat e rusëve etnikë dhe rusishtfolësve në të gjithë vendin.

Ushtria ruse zbarkon në Krime, Ukraina shpall gjendjen e gatishmërisë së plotë ushtarake
Në kundërpërgjigjje të vendimeve të Moskës për të zbarkuar trupa në Gadishullin e Krimesë, me argumentin se po mbrojnë popullsinë etnike ruse në këtë pjesë të Ukrainës, Kievi shpalli gjendjen e gatishmërisë së plotë ushtarake.

Vendimi u mor nga presidenti i përkohshëm ukrainas, Olexandr Turchynov. Ai tha se kishte dhënë urdhërin e gatishmërisë maksimale për cdo të papritur, por kërkoi nga njerëzit se gjëja më e rëndësishme në këto momente është qetësia. Ai bëri thirrje për unitet dhe shmangie të provokimeve.

Agjencia e lajmeve “Associated Press” raporton se de facto Rusia ka zbarkuar ushtarakisht në Krime, para se të merrej vendimi në Moskë. Sipas kësaj agjencie të paktën 6 mijë trupa zbarkuan brenda të premtes dhe në orët e para të së shtunës, ndërkohë që të tjerë vazhdojnë t’u bashkohen.

Parlamenti rus miratoi në unanimitet kërkesën e Presidentit Valdimir Putin për dërgimin e trupave ushtarake në Ukrainë ‘në mbrojtje të qytetarëve dhe të personelit ushtarak rus’ në Gadishullin e Krimesë.

Numri një i Kremlinit argumentoi kërkesën e tij me nevojën për mbrojtjen e banorëve të etnisë ruse në Gadishull, për qetësimin e situatës si dhe për sigurinë e bazës ushtarake ruse dhe gjithë personelit të saj të vendosur qytetin jug-perëndimor të Krimesë, Sevastopol.

Ndërkohë, në Kiev presidenti i përkohshëm, Oleksandr Turchynov thërriti në mbledhje urgjente këshillin e sigurisë kombëtare për të diskutuar mbi hapat që do të ndjekë Ukraina pas vendimeve të fundit në Moskë.

Vendimi për dërgimin ose jo të trupave do të diskutohet në Dhomën e Lartë dhe të Ulët të Dumës.

Më parë, Kryeministri i ri pro-rus i Krimesë, Serghiei Aksionov i ka kërkuar ndihmë presidentit rus Vladimir Putin për të “risjellë paqen dhe qetësinë” në rajon. “Në kuadër të përgjegjësive të mia për jetën dhe sigurinë e qytetarëve, i kërkoj presidentit Putin që të na ndihmojë në ruajtjen e paqes dhe qetësisë”, ka thënë Aksionov në një fjalim televiziv.

Megjithëse nuk ka asnjë vendim zyrtar, Kievi deklaron se Moska ka rritur ndjeshëm praninë e saj ushtarake në Krime. Sipas Ministrit ukrainas të Mbrojtjes në qeverinë e përkohëshme, të dalë pas rrëzimit të Janukovic rreth 6 mijë trupa shtesë ruse kanë zbarkuar në Gadishull, ndërsa Presidenti i përkohëshëm, Oleksandr Turchynov kërkoi ndaljen e provokimeve nga ana e Rusisë, të cilat sipas tij kanë si objektiv tërheqjen e Ukrainës në një konflikt të armatosur për të legjitimuar aneksimin e Krimesë.

Të premten Presidenti amerikan, Barack Obama paralajmëroi Moskën se një ndërhyrje e mundshme ushtarake në Ukrainë do të ketë kosto të madhe për të.

“Tashmë jemi thellësisht të shqetësuar nga raportimet mbi lëvizjet ushtarake të ndërmarra nga Federata Ruse brenda Ukrainës. Kjo sjellje do të përbëjë një shkelje të pastër të angazhimit të Rusisë për të respektuar pavarësinë, sovranitetin dhe kufijtë e Ukrainës, si dhe ligjet ndërkombëtare” ”, tha presidenti Barack Obama, gjatë një deklarate televizive nga Shtëpia e Bardhë.

Obama tha se çdo dhunim i sovranitetit të Ukrainës dhe integritetit territorial të saj do të ishte “thellësisht destabilizues” dhe paralajmëroi se “Shtetet e Bashkuara do të jenë përkrah komunitetit ndërkombëtar në afirmimin se do të ketë kosto tepër të mëdha në rast të ndonjë ndërhyrjeje ushtarake në Ukrainë”.

Po të premten, Presidenti i rrëzuar, Viktor Janukovic bëri daljen e tij të parë publike që pas rrëzimit. Nga Rusia ai tha se nuk e njeh qeverinë e re dhe se do të vazhdojë të luftojë për Ukrainën.

Kthehu mbrapa

Shto koment