Rrezikohen marrëveshjet dhe bisedimet

09.05.2012 (komentet: 0)

Radikalët e Tomislav Nikoliqit kanë fituar numrin më të madh të ulëseve në Parlamentin e Serbisë. Ndërrimi eventual i pushtetit atje, pritet të reflektojë edhe në zhvillimet në Kosovë, pasi mund të ndodhë mosimplementimi i marrëveshjeve dhe ndërprerja e bisedimeve

Kosova dhe Serbia kanë arritur disa marrëveshje në bisedimet e tyre në Bruksel. Por, implementimi i tyre shumë lehtë mund të mos ndodh asnjëherë, nëse në pushtet vijnë radikalët e Tomislav Nikoliqit, partia e të cilit ka marrë numrin më të madh të ulëseve në parlament. Ai gjatë fushatës ka premtuar se nëse vjen në pushtet, nuk është i obliguar t’i implementojë marrëveshjet që qeveria e kaluar e Serbisë i ka arritur me Kosovën. E, sidomos marrëveshjen e fundit, atë për fusnotë, pasi sipas tij, me këtë marrëveshje Serbia ka njohur ‘de facto’ Kosovën.

Megjithatë, pavarësisht ndryshimeve që mund të jenë, në anën tjetër Brukseli pret formimin sa më të shpejtë të qeverisë, e cila do të punojë në reforma dhe përparim drejt Bashkimit Evropian.  

Maja Kocijancic, zëdhënëse e baroneshës Catherine Ashton, ka thënë për “Lajm” se nuk mund të spekulojë se si dhe çka do të ndodhë, meqë ende nuk është zhvilluar balotazhi, por, sipas saj, marrëveshjet e arritura në bisedime duhet të implementohen patjetër.   

“Unë nuk mund të spekuloj për diçka që nuk ka ndodhur ende – ne jemi në pritje të raundit të dytë të zgjedhjeve presidenciale. Ajo çfarë EU kërkon, është formimi sa më i shpejtë i qeverisë së përkushtuar ndaj reformave dhe përparimit drejt Evropës. Ne gjithashtu presim që dialogu mes Beogradit dhe Prishtinës do të rifillojë me pozitivitet. Marrëveshjet e arritura me dialog duhet të implementohen”, ka thënë Kacijancic. 

Mirëpo, edhe në institucionet e Kosovës nuk shihet me rrezik ndryshimi i pushtetit në Serbi.

Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi ka thënë se ndryshimet janë çështje të brendshme të Serbisë, por presin një qeveri properëndimore.  

“Qeveritë properëndimore u ndihmojnë bashkëpunimit rajonal dhe vendeve të veta, në rast të kundërt, ndodh e kundërta”, ka thënë Kuçi.

Por, në anën tjetër edhe njohësi i zhvillimeve në Serbi, analisti Nexhmedin Spahiu, ka thënë se zhvillimet e atjeshme nuk do të mund të ndikojnë shumë, madje, sipas tij, ndoshta veç më mirë për Kosovën do të ishte nëse Nikoliq do të fitojë garën për president.

“Nëse fiton Nikoliqi, unë pres zhvillime më të shpejta në kuptimin e ndryshimit të marrëdhënieve, sepse zakonisht kur radikalet hipin në pushtet zbuten më shumë sesa ata që nga fillimi shihen me një qasje më të moderuar. Kemi parë që qasja e Tadiqit është më e fortë, edhe ndaj Kosovës edhe ndaj BE-së, ani pse u pa më i moderuar”, ka thënë Spahiu.

Sipas Spahiut, kjo për faktin se Nikoliq, edhe pse ka thënë se nuk do t’i zbatojë marrëveshjet e arritura në bisedime, ai ka pranuar të takohet me presidenten e Kosovës, Atifete Jahjaga, duke pranuar në një apo formë tjetër Kosovën. “Ka thënë se s’do t’i implementojë, por, ai njëkohësisht ka thënë se do të bisedonte me Atifete Jahjagën, dhe kjo është një hap përpara sepse bisedimi president me president është i nivelit më të lartë sesa president me kryeministër, pasi presidenti mund të takohet edhe me kryeministrin e krahinës. Ndërsa president me president është thuaja gati një njohje e një shteti, sepse krahina nuk ka president, sado që ne e dimë që ‘de fakto’ edhe president edhe kryeministër është Hashim Thaçi, por formalisht nëse i qaset presidencës, atëherë është një hap përpara”, është shprehur ai.

Zgjedhjet e përgjithshme dhe ato presidenciale në Serbi u mbajtën më 6 maj. Në zgjedhjet parlamentare, partia e Nikoliqit mori numrin më të madh të ulëseve në parlament. Ndërsa në ato presidenciale, Tadiq dhe Nikoliq do të përballen në balotazh më 20 maj. 

Kthehu mbrapa

Shto koment