Rompuy-Jahjagës: Bisedoni me Serbinë

18.07.2012 (komentet: 0)

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, është takuar sot në Bruksel me presidentin e Këshillit Evropian, Herman Van Rompuy me të cilin ka biseduar për një mori temash.

Presidentja Jahjaga ka thënë se deri në shtator pret që të gjitha kompetencat e ndërkombëtarëve të kalojnë tek vendoret. “Republika e Kosovës është vend demokratik ku të gjithë qytetarët e saj pa dallim etnie e feje kanë të drejta të barabarta”, është shprehur presidentja Jahjaga. 

Duke folur për procesin e decentralizimit Jahjaga ka shtuar se deri tani janë formuar 10 komuna të reja, ndërsa shpreson që së shpejti do të ketë rend dhe ligj edhe në tre komunat veriore të Kosovës. 

Ndërsa sa i përket dialogut mes Kosovës dhe Serbisë që po mbahet në Bruksel, Jahjaga ka thënë se deri tani janë arritur disa marrëveshje të cilat qetësojnë marrëdhëniet mes këtyre dy shteteve. Ajo tha se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë është e vetmja mënyrë për t’i zgjidhur problemet që kanë këto dy shtete. Ndër të tjera, presidentja Jahjaga deklaroi se qytetarët e Kosovës e shohin veten pjesë të Bashkimit Evropian. Jahjaga gjithashtu i bëri një ftesë publike presidentit të Këshillit Evropian, Herman Van Rompuy që të vizitojë Kosovën për të parë zhvillimet pozitive. 

Në kuadër të vizitës në Bruksel, presidentja Jahjaga do të bisedojë me zyrtarë të lartë evropianë për axhendën dhe perspektivën evropiane të Republikës së Kosovës, për përmbushjen e kushteve për liberalizimin e vizave si dhe për studimin e fizibilitetit për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit. Në këto takime, presidentja Jahjaga “do të bisedojë për mandatin e misioneve ndërkombëtare pas përfundimit të mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës, për integrimin e plotë të komuniteteve si dhe për shtrirjen e sundimit të rendit dhe ligjit në gjithë territorin e Kosovës.

Kthehu mbrapa

Shto koment