Robert Kuper arrinë për vizitë në Serbi

25.01.2012 (komentet: 0)

Ndërmjetësuesi i Bashkimit Evropian për bisedimet Kosovë – Serbi, Robert Kuper, sot pritet të arrijë në Beograd, me ç’rast do të takohet me shefin e delegacionit të Serbisë në këto bisedime, Borisllav Stefanoviq.

Shumë zyrtarë evropianë, ditëve të fundit, kanë theksuar se përparimi i Serbisë kah integrimi në BE, varet nga vazhdimi i dialogut me Kosovën, ndërsa njëra nga çështjet e pazgjidhura mbetet përfaqësimi i Kosovës në nismat rajonale.

Stefanoviq ka thënë se ardhja e Robert Kuperit në Beograd, bëhet me qëllim që të kapërcehet “hendeku” ndërmjet Serbisë e Kosovës dhe të gjendet marrëveshje për çështjen e përfaqësimit të Kosovës.

Propozimi i shefes së delegacionit të Kosovës, Edita Tahiri, që Kosova në nismat rajonale dhe në takimet ndërkombëtare, të përfaqësohet me fusnotën “pa prejudikim të statusit”, por pa u përmendur rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, nuk është e pranueshme për Serbinë, ka thënë Borisllav Stefanoviq.

 

Kthehu mbrapa

Shto koment