Rezervistët që luftuan në Kosovë e fitojnë gjyqin ndaj shtetit serb

06.09.2012 (komentet: 0)

Gjykata në Strasburg ka marrë vendim sipas të cilit Serbia është e obliguar që deri në maj të vitit 2013 t’iu paguajë rezervistëve të luftës së Kosovës nga Nishi mëditjet e papaguara nga viti 1999.




Sipas një portali të Nishti, aktgjykimi është marrë më 10 korrik dhe nëse deri më 28 nëntor nuk bëhet ndonjë ankesë, aktgjykimi bëhet i plotfuqishëm dhe brenda gjashtë muajve pas kësaj Serbia obligohet të paguajë borxhin ndaj atyre rezervistëve. 

“Prej vitit 2008 kemi protestuar dhe kemi kërkuar pagesën e mëditjeve. Atëherë 10 000 rezervistë i morën mëditjet, por qenë trajtuar si ndihmë sociale. Ndërkaq, 90 000 rezervistë u anashkaluan pa të drejtë. Këtë aktgjykim e përjetojmë si fitore të madhe”, tha njëri nga rezervistët. Borxhet duhet t’iu paguhen rezervistëve nga komunat Kurshumli, Lebane, Bojnik, Zhitoraxha, Dolevac, Prokuple dhe Bllaca.

Sipas avokatit të tyre, Sërjan Aleksiq, është me rëndësi të gjendet një zgjidhje sa më e volitshme pasi bëhet fjalë për një shumë të madhe të mjeteve që duhet paguar. 

“Nuk di saktësisht se sa është shuma në total, por vlerësimi i fundit i bërë në vitin 2008 tregonte se ushtari i cili e ka kaluar luftën e Kosovës në terren është dashur të marrë rreth 240 000 dinarë”, tha rezervisti Vlladimir Vuçkoviq.

Kthehu mbrapa

Shto koment