Reka e Epërme ka nevojë për mbështetje institucionale

06.11.2014 (komentet: 0)

 

Reka e Epërme ka nevojë për mbështetje institucionale

 

Reka e Epërme më shumë se mbështetja mediale dhe shkencore ka nevojë për një mbështetje politike dhe institucionale. Trysnia politike, shpërngulja, por edhe gjuha, kultura dhe tradita e shqiptarëve të Rekës së epërme janë përmbledhur në veprën me titull “Shqiptarët e Rekës së epërme përballë sfidave të kohës”, botim i cili u përurua sot në ambientet e UEJL-së në Shkup. Vepra është përmbledhje kujtesash nga tubimi i mbajtur në Leunovë, vitin e kaluar.

Studiuesit e këtij rajoni thonë se Reka është hapësirë e pastër shqiptare, e cila vazhdimisht ka qenë në shënjestër të sunduesve që kanë kaluar në këto troje.

“Rajoni i Rekës përbën një varrë të shqiptarisë, për fat të keq. Një hapësirë të lënë në fatin e kohës, që ka nevojë për mbështetje institucionale, po ashtu edhe për mbështetje shkencore, që të del në shesh e vërteta për këtë erozion kulturor, antropologjik dhe sociologjik. Për një zbrazje të një hapësire puro shqiptare, që sot për fat të keq është e zbrazët”, tha autori i botimit, Ali Pajaziti.

Jo veç në të kaluarën, qasja ndaj Rekës nuk ka ndryshuar as tani. Më aktuale është përpjekja për ndryshimin e toponimeve.

“Nëse do t’ju bie rruga të shkoni në Rekë, në hyrje të parkut nacional do të shihni mbishkrimin vetëm në gjuhën sllave, çdo mbishkrim, çdo gjë që shkruhet në Rekën e epërme është në gjuhën sllave. Çdo krua do të thotë krue në gjuhën e Rekës, çdo çeshme, çdo burim është i shkruar në gjuhën sllave. Duke e përdorur si pretekst se janë ujëra të shenjtë dhe aty venë ndonjë ikonë ose kështu me radhë, por kryesisht aty shkruhet vetëm në gjuhën sllave”, u shpreh banorja e Rekës, Zejna Halimi, njofton TVM2.

Sipas profesorit, Vebi Bexheti, shqyrtimi i çështjes së Rekës, e cila, sipas tij, i ka rrënjët thellë në politikë, është i vonuar dhe i ka kushtuar shumë shqiptarëve.

“Së paku është dashur nga viti 1990, kur u mendua se rreziku kaloi, që të merreshim me çështje të studimit të kësaj problematike, të kësaj kulture aq të gjatë, që ishte e pazbuluar”, deklaroi  profesori, Vebi Bexheti. (INA)

Kthehu mbrapa

Shto koment