RAMA NË SERBI: KINA DO NDËRTOJË RRUGËN E ARBRIT
16.12.2014 (komentet: 0)
Kryeministri i Shqipërisë Edit Rama ndodhet sot në Beograd, për të marrë pjesë në Samitin e Kinës dhe 16 vendeve të Evropës Juglindore.
Rama do të ketë takime me homologët e tij të Çekisë, Polonisë dhe Kinës ndërsa të mërkurën, pritet të takojë sërish për të dytën herë brenda pak javëve, Kryeministrin e Serbisë Vuçiq.
Vetë kryeministri Rama ka njoftuar sot nëpërmjet një njoftimi në facebook se është arritur një marrëveshje me Kinën për të ndërtuarRrugën e Arbrit në Shqipëri.
“U nënshkrua mbrëmë memorandumi i bashkëpunimit me Chinese Exim Bank për hapjen e një kantieri projektesh në Shqipëri me financime kineze. Projekti i parë që do të çel siparin e një epoke të re bashkëpunimi mes Shqipërisë e Kinës do të jetë Rruga e Arberit, e cila do të nis vitin e ardhshëm,” shkruan Rama në Facebook.
Ky samit është përgatitur nën masa të rrepta sigurie dhe nën mbikëqyrjen e mbi 7 mijë policëve. Mediat vendase njoftojnë se në pika kyçe janë vendosur edhe snajperë, për të ndaluar çdo person të dyshimtë që do të tentojë të shkaktojë kaos.
Shto koment