Radika, lumi që bashkon shqiptarët!

24.01.2014 (komentet: 0)

Nuk është një thirrje patriotike, ndonëse edhe nëse kuptohet si e tillë, nuk do të ishte keq. Është një e vërtetë gjeografike, Radika, lumi lidhës i maleve të Sharrit, Korabit, me bashkimin e Drinit të zi, rrjedh natyrshëm në rrugën e tij, në troje të pastra shqiptare, Kosovë, në pjesën shqiptare të Republikës ish-jugosllave të Maqedonisë dhe Republikën e Shqipërisë me bekimin e Zotit.

Pikërisht ky Lum lidhës, me devijimin që është planizuar t'i bëhet, nga qeveria maqedonase, jo vetëm prek rëndë interesat ekonomike dhe jetësore të shqiptarëve, por dhe mund të kthehet në mollë sherri për konflikte serioze të tipeve ballkanike. Pikërisht për të shmangur këto konflikte, na vijnë në ndihmë konventat ndërkombëtare të ratifikuara, të cilat qartësojnë dhe përpiqen të vënë rregull, në të ashtuquajturat, “Ethet e Ujit”, që ka përfshirë pothuajse tërë globin dhe kuptohet që këto parime apo rregulla, të orientojnë që këto konflikte të zgjidhen me marrëveshje të qeverive të vendeve që u preken interesat direkt apo indirekt, nga devijimet e pjesshme apo të përgjithshme të lumenjve që prekin vendet përkatëse dhe në rast se ky mirëkuptim-marrëveshje, nuk arrihet, me pretendimet e palës së prekur të drejtohet në Gjykatën Ndërkombëtare. Bota e qytetëruar, orienton këtë zgjidhje të problemeve ndërmjet vendeve kufitare, madje është tepër e kujdesshme të bëj transparencën e duhur për të informuar opinionin publik për marrëveshje të tilla të ndjeshme, madje deri dhe në detaje.

Kështu veprojnë shtetet e kombet e qytetëruara, qeveritë respektive të të cilave nuk ndihen kurrë aq fuqiplota apo aq të pavarura, të marrin vendime, me shkëmbime buzëqeshjes diplomatike, por me një negocim serioz të shoqëruar me studime serioze profesionale, në mbrojtje të interesave të tyre

Krejt ndryshe nga sa thamë më lart po veprohet nga qeveritë e tri vendeve që lidh me bekimin e Zotit dhe lumi Radika.

Qeveria e Kosovës, hesht, e mbyllur në guackën e saj, në pritje të njohjeve numerike ndërkombëtare duke kërkuar ndonjë ishull-shtet tjetër të harruar, diku ne Paqësor ... Madje, më shumë terren ka marrë lajmi i dhënies së lejes nga FIFA, për të patur një përfaqësuese futbolli, pra një kombëtare futbolli kosovare (sesi mund te quhet një kombëtare futbolli e Kosovës, vetëm ata që e kanë projektuar atë mund ta shpjegojnë ?!)...sesa çështja e devijimit të lumit Radika .

Qeveria shqiptare mesa duket ka zgjedhur edhe këtë herë, metodën e strucit. Ndërsa, në Shqipëri Kryeministri Rama deklaron “shumë zhurmë për asgjë “. Ministri i ekonomisë Gjiknuri, mohon marrëveshjen duke bërë përpjekje dhe të tallet me thënien e tij të ndërtuar keq, “stuhi në gotën bosh?!”. Ministri shqiptar i ekonomisë, por në qeverinë maqedonase, Valon Saraçini, jo vetëm mohon marrëveshjen, por shkon dhe më tej, mohon dhe projektin për HEC-in ?!

Më i sinqertë është zëdhënësi i qeverisë maqedonase, që konfirmon jo vetëm projektin, por edhe që ky projekt do të financohet nga Banka Botërore!

Vendim i njëanshëm i qeverisë maqedonase deklarohet nga individë të vetëquajtur patriotë, të cilët në mbrojtje të “patriotizmit” të tyre, kërkojnë të ndezin zjarre të reja, ku ata ndihen mirë dhe të kamufluar, duke harruar që Banka Botërore nuk mund të marrë përsipër financime të tilla të mëdha, pa pasur në dorë marrëveshjet qeveritare të vendeve kufitare.

Atëherë s'na mbetet gjë tjetër veçse t'i drejtohem qeverisë Rama, të bëjë transparencën nëse ka marrëveshje apo është përdorur ndonjë marrëveshje e vjetër e viteve 50-të, midis qeverisë shqiptare dhe jugosllave të asaj kohe, ku u lejua marrja e një sasie uji nga lumi Radika, juridikisht e pavlefshme dhe e papërdorshme sot, për arsyen e vetme që shteti Jugosllav nuk ekziston dhe se FYROM-i, një shtet ende i pa emër, nuk mund të trashëgojë as borxhet dhe as benefitet e shtetit të zhdukur jugosllav. Nëse qeveria maqedonase, do të veprojë në mënyrë të njëanshme, duke shfrytëzuar apo “blerë” heshtjen mohuese jozyrtare të qeverisë shqiptare dhe ministrit shqiptar të ekonomisë në qeverinë maqedonase, nuk do të heshti vetë lumi Radika, .....Ai do t'i bashkojë përsëri shqiptarët!

Vladimir Beja

Kthehu mbrapa

Shto koment