QEVERIA E MERKELIT ARRINË MARRËVESHJE PËR REFUGJATËT

05.11.2015 (komentet: 0)

 

Kancelarja gjermane Angela Merkel dhe liderët e dy partive partnere të koalicionit të saj qeverisës ranë dakord në mbledhjen e së enjtes, për të përshpejtuar procesin e regjistrimit të refugjatëve.

Po ashtu, liderët vendosën që azilantët do të qëndrojnë në shtetin e parë që ata janë regjistruar. Ndërsa, arritën marrëveshjen se nuk do të krijohen të ashtuquajturat “zona tranzit” në kufijtë e Gjermanisë.

Takimi mes partnerëve të koalicionit qeverisës vjen në mesin e disa raporteve të shtypit vendas mbi zhdukjen e një numri refugjatësh të mbërritur me valën e fundit të dyndjeve. Nuk është kjo hera e parë që ndonjë emigrant largohet pa gjurmë nga ndonjë qendër në Gjermani.

Ndërkaq, Komisioni Europian njofton se 3 milionë emigrantë pritet të hyjnë në kontinent deri në vitin 2017, ndërkohë që fluksi i tyre në ujërat e Detit Mesdhe vijon të jetë i lartë.

Sipas parashimimeve të krahut ekzekutiv të BE-së, kjo valë refugjatësh do të rrisë popullsinë e bllokut me 0.4%, e po ashtu fluksi do të ketë ndikim ndonëse të vogël, në rritjen e ekonomisë, me 0.2-0.3% të GDP-së.

Të njejtën tezë ka parashtruar edhe Marcel Fratzcher, kreu i Institutit Gjerman për Kërkime Ekonomike.

Fratzcher tregon se fitimet afatgjata ekonomike nga numri i madh i refugjatëve që vijnë, do t’i tejkalojnë shpenzimet masive të krizës.

Sipas ekonomistit Fratzcher, azilantët janë një mundësi e madhe për të forcuar pozitën financiare, specifikisht të Gjermanisë, por shpenzimet që ka procesi i mbajtjes së tyre do të kthehen në benefit pas 10 viteve.

Ky raport është e kundërta e frymës mbizotëruese në Europë muajt e fundit, se ekonomia e unionit është në kolaps për shkak të krizës së refugjatëve, duke shkaktuar kaos dhe frikë. Megjithate edhe sipas disa ekspertëve të tjerë të çështjeve ekonomike, refugjatët janë një potencial i madh për të ndihmuar shoqërinë europiane.

Fluksi i tyre nga Turqia dhe Greqia pritet të vazhdojë me një normë ditore prej 5.000 vetash. 

Kthehu mbrapa

Shto koment